Lajme

Thaçi “vulos” krijimin e ushrisë së Kosovës!

Duke uruar edhe një herë të gjithë bashkëpunëtorët e tij, Presidenti Hashim Thaçi ka vulosur ditën e sotme krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Ai ka dekretuar të premten tri ligje që përcaktojnë procedurat e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Ai ka falënderuar Amerikën për mbështetjen e saj mbi këtë nismë dhe oficerët që do jenë tanimë pjesë e forcave të armatosura të Kosovës.

“Si President i Republikës së Kosovës dhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës, ju uroj juve, i nderuar komandant, të gjithë ushtarët, oficerët dhe popullin e Kosovës. Unë falënderoj mbështetës ndërkombëtarë, SHBA dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës ", ka thënë presidenti Thaçi.

Dekretimi i tij erdhi pasi tri projektligjet për FSK-në janë miratuar me shumicë votash nga Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor të këtij viti, votim që shkaktoi reagime të ashpra nga Beogradi. Kryeministrja serbe Ana Brnabiç, ka paralajmëruar se krijimi i ushtrisë së Kosovës, paraqet kërcënimin më të madh ndaj paqes rajonale në Ballkan dhe ka shtuar se pas këtij hapi është vështirë të flitet për bisedime.

“Ky vendim na shqetëson jashtëzakonisht shumë. Jo vetëm që krijimi i ushtrisë së Kosovës do të binte në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare, por paraqet edhe shkeljen e Kushtetutës të cilën ata vetë e kanë përpiluar dhe miratuar. Në këtë mënyrë, ata po na tregojnë se janë të gatshëm të shkelin vetë Kushtetutën e tyre”, ka thënë Brnabiç në intervistën për gazetën italiane “La Republica”.

Ajo ka përsëritur edhe njëherë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës dhe hedhur poshtë të gjitha planet për një kompromis mes dy palëve, i cili siç u përfol këtë verë, mund të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve.

“Pranimi i pavarësisë së Kosovës, paraqet një ultimatum për Serbinë. Kjo nuk do të ndodh kurrë. Bisedimet për ndryshimin e kufijve, nuk do ta hapnin kutinë e Pandorës: këtë kuti tashmë e ka hapur Kosova para 10 viteve kur ka marrë vendimin e njëanshëm për shpalljen e pavarësisë dhe duke mos respektuar asnjë princip demokratik, siç është referendumi. Nuk duam kufij me vija etnike, pasi kompromisi duhet të jetë i bazuar në të drejtat e njeriut, mbrojtjen e pakicave dhe monumenteve të tyre”, ka deklaruar Brnabiç.

Dekretimi i ligjeve për ushtrinë e Kosovës vjen në fakt pas një sërë takimesh të nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Uashingtonin, i cili po shfaqet tanimë si aleati më i madh i Kosovës në këtë nismë historike.

Thaçi është takuar dy herë brenda pak kohësh me presidentin amerikan Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo. Deklaratat e Ambasadorit të ri Amerikan në Kosovë konfirmuan se Thaçi ka marrë bekimin e Trump dhe të Administratës së tij për këtë hap të jashtëzakonshëm. Philipp Kosnett, ambasadori i SHBA në Prishtinë, deklaroi disa ditë më parë se Washingtoni mbështet plotësisht vendimin e Prishtinës për formimin e ushtrisë.

“Tani, më shumë se kurrë, qeveria e Kosovës duhet të punojë me pakicat dhe të koordinohet ngushtë me aleatët dhe partnerët e NATO-s, pasi ajo fillon tranzicionin dhjetëvjeçar të forcave të saj të sigurisë. SHBA do të jenë me ju”, ka thënë ai në pas votimit në parlament.

Por ndryshe nga Uashingtoni, NATO dhe BE-ja duket se nuk janë aq optimistë. Aleanca ushtarake ka kundërshtuar formimin e ushtrisë së Kosovës duke thënë se ky nuk është momentin i duhur.

Shtetet e Bashkuara kanë treguar mbështetje të fuqishme në këtë proces, derisa NATO-ja ka shprehur skepticizëm duke konsideruar se transformimi i FSK-së po ndodh në një "periudhe të pafavorshme".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë