Libra

Thaçi sipas Fevziut dhe Haxhiut

Gjykata Speciale ua mohoi kërkesën për lirim me kusht, në janar të këtij viti.  Në qelitë e Hagës, siç do të zbulonte gazetari Baton Haxhiu i cili kishte biseduar telefonikisht me të, Hashim Thaçi i është përkushtuar leximit.

 Libri më i fundit që ka në duar, është ndoshta ai që ka protagonist vetë atë; drejtuesin politik të UÇK-së, ish-kryeministrin, ish-presidentin e Kosovës, i cili prej ditëve të para të nëntorit dha dorëheqjen si kreu i shtetit dhe fluturoi drejt Holandës. 

Si një nga ata që e kishte përkrahur, të paktën publikisht, ngritjen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, Hashim Thaçi e dinte se dita kur do të ballafaqohej me Gjykatën, do të vinte. Nga ana tjetër, Zyra e Prokurorit do ta akuzonte Thaçin dhe Kadri Veselin se po bënin ç’kishin në dorë për ta minuar atë.  

Kambana e alarmit tingëlloi fort kur Prokurori Special publikoi aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit  mbi Thaçin dhe të tjerët, vetëm pak ditë para asaj që u cilësua si marrëveshje historike,e firmosur mes Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë.

Në Hagë, më lakonik se të tjerët, Thaçi i mohoi akuzat dhe u deklarua i pafajshëm. Në Tiranë, Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu botuan librin “Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi”, një kopje e të cilit botimet “UET Press”, ia nisën ish-presidentit në Hagë.

Hashim Thaçi nga seanca në Gjyqin e Hagës, nëntor 2020.

 “Ky gjest nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje tepër modeste për t’i dhënë mesazhin e mbështetjes kësaj figure të rëndësishme të botës shqiptare dhe për të komunikuar në këto rrethana krejtësisht të pafavorshme në të cilat ai ndodhet aktualisht”, shprehej presidenti i UET Selami Xhepa.

Telefonatat e kryera regjistrohen, rrëfente Baton Haxhiu, bashkautor i librit, i cili edhe vetë e ka provuar për disa ditë qelinë e Hagës.  Në Prishtinë e Tiranë, por edhe gjetkë në diasporë, liria u vulos dhe mori emër përmes fotografive të luftëtarëve apo edhe stemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jo pak u përdor për konsum të brendshëm politik dhe beteja kampesh partiakë, ku ngjarja gërmoi në të kaluarën dhe polli akuza të reja, edhe për liderë politikë të Tiranës.  Libri u botua më shumë se një muaj pasi Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u paraqitën në Gjykatën Speciale të Hagës, për të cilët Prokurori kërkoi arrestimin me dyshimi se mund të ndërhyjnë në provat.  

Libri " Lufta e Kosovës dhe Hashim Thaçi", me autorë Blendi Fevziu dhe Baton Haxhiu

Kohë e pafavorshme për katër ish-luftëtarët e kthyer politikanë dhe burra të shtetit të Kosovës, por e volitshme për ta rikthyer edhe njëherë debatin tek e kaluara , jo shumë e largët e gjenocidit, spastrimit etnik dhe luftës për mbijetesë. Vetëm dy javë më parë  Kosova përkujtoi 21 vjetorin e mëngjesit të tmerrshëm të Masakrës së Reçakut, më 15 janar të vitit 1999.

***

Natën midis 14 dhe 15 janarit, një njësi speciale policore serbe e drejtuar nga major Goran Radosavjeviç, komandanti i tyre, doli nga një kazermë në periferi të Prishtinës.

Siç ka dëshmuar ky vetë, në një intervistë për BBC-në në vitin 2001: “Morëm njoftimin që një familje kishte vrarë 3 policë në Reçak. U nisëm në 2 të natës t›i ndëshkonim. Ishte shumë ftohtë dhe errësirë. Kishim siklet nga qentë, por nga i ftohti edhe ata ishin brenda. Ecnim nëpër drurë në këmbë. Kishte shumë dëborë, por arritëm.”

Dalja e parë publike për mediat së bashku me Fatmir Limajn dhe Sylejman Selimin, në Drenicë.

Pak orë më pas, duke gdhirë data 15 janar 1999, në fshatin e Reçakut, një lokalitet që fare pak njerëz e dinin se ku binte në Kosovë, u gjetën trupat e pajetë të dyzetepesë shqiptarëve. Ndër ta edhe një grua. Njërit prej trupave i ishte prerë koka. Ata qenë hedhur buzë një grope që njihej me emrin «Gropa e bebushit». Ishin thuajse të gjithë meshkujt që kishin ngelur në fshat. Gratë dhe fëmijet kishin dalë t’i kërkonin, pa e ditur se asnjë prej tyre nuk jetonte më.

***

Blendi Fevziu thotë se ideja për këtë libër i lindi qysh në vitin 2000.  Pas një interviste të gjatë me Hashim Thaçin, që shkonte deri në 300 faqe të zbardhura,  gazetari ia propozoi idenë politikanit nga Kosova, i cili e refuzoi.

Më 2017-n, një vit para se Kosova të kremtonte 10 vjetorin e Pavarësisë, Fevziu e ndau idenë me kolegun Baton Haxhiu. Ky i fundit u vu në kërkim të dokumenteve në arkiva. Libri, siç rrëfente Fevziu ishte gati. Mungonin disa citime të Thaçit, mbi pyetje sesi u bë drejtuesi i Drejtorisë Politike të UÇK-së, të cilat ish-presidenti nuk i dha kurrë.

Libri u shkrua  mbi bazën e rrëfimeve të protagonistëve dhe dokumenteve zyrtare të ShBA-së, Britanisë, Francës, Shqipërisë, Serbisë dhe Rusisë dhe sipas Haxhiut, nuk do të ketë një tjetër më të plotë vetëm nëse Hashim Thaçi vendos të shkruajë autobiografinë.

Nga fotot e para të Hashim Thaçit student, në protestë për Republikën e Kosovës

***

 “Në Kosovë, kam qëndruar klandestin deri në fund të vitit 1994. Jeta ilegale është e rëndë: i izoluar nga njerëzit, shokët, miqtë, familja, argëtimi rinor, i rrezikuar në çdo hap. Unë lëvizja kryesisht natën, dhe atë shumë kujdesshëm”, e kujtonte Hashim Thaçi.

Në kohën që jetonte në Prishtinë, Thaçi njihej me emrin “Studenti”. Më pas, përdori pseudonimin “Miku”, që ia vendosi Grupi i Prekazit dhe në fund, afër kohës së Rambujesë dhe luftës, u njoh me pseudonimin “Gjarpëri”. Më këtë emër e komentoi gjatë shtypi botëror në ato kohë. Nuk dihet sesi dhe përse nisën ta thërrasin me këtë pseudonim.

Njerëzit e afërt të tij, thonë se kjo vinte nga aftësia e tij e jashtëzakonshme për t’u fshehur dhe për t’iu shmangur rrezikut. Kishte një shqisë të veçantë për këtë dhe nuk besonte thuajse askënd.

Në fillim të janarit 1996, drejtuesit e UÇK - së që jetonin në Zvicër vendosën të fillonin veprimet e armatosura shumë shpejt. Sipas tyre, UÇK-ja dhe rezistenca shqiptare duhet të hynte në një fazë të re të organizimit dhe veprimit të saj. I ngarkuar me disa nga këto porosi, në pranverën e vitit 1996 Hashim Thaçi u rikthye sërish ilegalisht në Kosovë.

Thaçi si drjtues politik i UÇK-së

Si edhe në raste të tjera, ai ndoqi drejtimin, Zyrih - Tiranë - Tropojë, e prej andej në këmbë në brendësi të Kosovës. Ky ishte një ndër disa kalimet e paligjshme të kufirit. Nëse i referohesh një interviste që Hashim Thaçi ka dhënë për emisionin “Opinion” në qershor 2008, ai ka rrëfyer se: “Unë kam kaluar kufirin ilegalisht nga periudha e vitit 1993, deri në përfundimin e luftës më 1997, shumë e shumë herë. Janë me siguri midis 30 dhe 35 kalime ilegale.”

Në kujtimet e saj, Madlein Ollbrajt shkruante:  “Shqiptarët iu kthyen rezistencës dhe u bashkuan në një lëvizje që u quajt Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Në atë kohë dinim pak për këtë grup me organizim të hallakatur, përveçse kishte kryer sulme të vogla kundër serbëve në Kosovë.”

Zonja Ollbrajt do të gjendej me përfaqësuesin e UÇK-së përballë, në Rambuje.

***

Dy personazhe me moshë dhe përvoja të ndryshme, që befas, ishin bashkuar në tavolinën e gjatë për t’i dhënë rrugë historisë që po kalbte Ballkanin prej një dekade. E para ishte gruaja më e fuqishme e globit, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madalen Ollbrajt.

Emigrantja çeke, vajza e një diplomati të njohur të Pragës, qe ngjitur në majën e politikës botërore duke u bërë gruaja e parë që drejtonte Diplomacinë e vendit më të rëndësishëm të rruzullit.

Ky, i dyti, që sapo kishte mbushur të 30-tat, quhej Hashim Thaçi. Ilegal, që deri një javë më parë nuk e njihte thuajse askush, veç miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. I lindur në një fshat të largët të Kosovës të quajtur Brojë, në fare pak kohë, ai ishte ngjitur në majat e një lëvizjeje guerilase, duke u bërë shef Politik i saj dhe prej aty, kryetar i Delegacionit Kosovar në Rambuje.

Madlein Ollbrajt dhe Hashim Thaçi

.... Zgjedhja e Thaçit në krye të delegacionit të UÇK – së, dhe më pas në krye të Delegacionit të Kosovës, po ashtu mbetet një mister.

Përse Thaçi, më i riu, dhe jo Azem Syla, që dukej se ishte njeriu më i rëndësishëm i UÇK - së në Kosovë? Përse Thaçi dhe jo Xhavit Haliti, që ishte po ashtu njeriu më i njohur i UÇK - së në emigracion?

Cila qe ajo forcë, apo ato forca, që e kishin shtyrë atë përpara? Cili kishte qenë ai person, që kishte dhënë ndihmën finale? Pyetjet ende nuk kanë përgjigje. Dhe nuk dihet nëse do të marrin ndonjëherë.

Por një gjë dihet me siguri. Me të ardhur në krye të delegacionit në Rambuje, Hashim Thaçi mori një rol protagonist që s’e priste askush. Ambicioz, i vendosur, tejet i kujdesshëm, ai nisi atë ditë të 7 shkurtit 1999, një udhë të dominimit politik që vijon në Kosovë ende sot, 20 vjet më pas…

***

Thaçi duke lexuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, 2008.

Libri, kushtuar besimit dhe sakrificës së gjithë atyre që u përpoqën për një Kosovë të lirë, nuk duket të ketë marrë ndonjë miratim nga Hashim Thaçi. Të paktën siç pohojnë autorët e tij.

Por sipas tyre nuk bëhet fjalë për një biografi për Thaçin, por për Luftën e Kosovës në tërësi. Fakt është se Thaçi u bë protagonist i saj dhe i politikës 20 -vjeçare në vend. Sipas Baton Haxhiut ka citime dokumentesh të pa botuara më herët në këtë libër.

Dy autorët prisnin një moment të rëndësishëm për të botuar, siç mund të ishte marrëveshja me Serbinë që kalonte nëpër një proces të gjatë e të ngecur dialogu, e nënshkruar në fund nga Abdulla Hoti, si kryeministër i Kosovës në takimin e shtyrë më 2 shtator të 2020-s.

Thaçi e anuloi vizitën drejt Uashingtonit pas publikimit të aktakuzës nga Prokurori Special, ndërsa ai e kishte shprehur hapur besimin tek roli i ShBA-së në arritjen e një marrëveshjeje “historike” me Beogradin.

I zhgënjyer nga roli i BE-së dhe ngulmues përballë akuzave dhe kritikave për shkëmbim territori, ish-presidenti fliste për “korrigjim padrejtësish” për shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës.

Ishte BE, e cila shprehu hapur pakënaqësitë para marrëveshjes në Uashington, kur aludohej se adminsitrata Trump do ta përkrahte marrëveshjen mes palëve edhe nëse ajo përshinte shkëmbim territoresh apo korrigjim kufijsh apo vetë ShBA, ndërsa u bë e ditur se Prokurori Special në Hagë që ngriti aktakuzat ndaj Thaçit ishte amerikan?

Dy autorët, të cilët e kishin bërë gati dorëshkrimin për botim, iu kthyen sërish duke i shtuar një kapitull të fundit; Hagën. Debati mbi krimet e luftës së UÇK – së, nuk ishte i ri. Ai kishte marrë ndër vite komente nga drejtuesit më të lartë të UÇK - së. Madje edhe nga ata si Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, që u gjykuan në Hagë dhe dolën të pafajshëm.

Hashim Thaçi në Hagë

***

Më 5 nëntor 2020, u njoftua se akuza ndaj Thaçit ishte pranuar nga Gjykata. Po atë ditë, rreth orës 11:30, Thaçi njoftoi qytetarët për dorëheqjen nga posti i Presidentit të Kosovës. Ai deklaroi se: “Në Hagë, nuk do të shkojë në asnjë rrethanë Presidenti i Kosovës”.

Thaçi udhëtoi me avion special të Gjykatës drejt Hagës, po atë pasdite. Së bashku me Kadri Veselin, Kryetar i PDK - së dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, po ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Rexhep Selimin.

Të katër bashkë u vendosën në paraburgim. Më 9 nëntor doli para gjykatës për të pranuar ose fajësinë. Thaçi dhe 3 të tjerët akuzoheshin për krijimin e një organizate kriminale. Asnjë prej tyre nuk e pranoi fajësinë. Deri në momentin që ky libër shkoi për botim, në mes nëntori 2020, asnjë akuzë zyrtare nuk përfshinte trafikun e organeve, as shtëpinë e verdhë në Gurrëz të Burrelit.

Historia e trafikut të organeve, që frymëzoi ngritjen e Gjykatës, me gjasë kishte rënë.  Procesi në Hagë mund të zgjasë me vite apo si në rastin e Ramush Haradinajt, mund  të rikthehet, edhe pas marrjes së pavarësisë.

“Kur individi ndodhet në kushte të rënda të privacionit, siç është gjendja e tij e tanishme, do të jetë ndoshta një simbol dhe një mënyrë për të rritur botën shpirtërore dhe emocionale në rrethanat në të cilat ai ndodhet”, shprehej presidenti i UET Selami Xhepa, pas botimit të librit nga shtëpia botuese universitare.

Të mohuar me lirinë me kusht, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi presin në qeli, deri në një vendim të Gjykatës Speciale, ndërsa Kosova i drejtohet kutive të votimit për të dytën herë, ende pa kaluar dy vite. Dhe në të dyja rastet, duket se shkas është bërë  Haga. S.B/ Gazeta "Si".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë