Politike

Thaçi nuk lëshon Veriun. Kërkon mbështetjen e Tiranës për Luginën

Presidenti i Kosovës është vendosur në qendër të vëmendjes këto ditë të nxehta vere me këmbënguljen e tij në “korrigjimin” e kufijve me Serbinë. Politikanë e analistë në Prishtinë e Tiranë e kanë interpretuar këtë deklaratë si shkëmbim territoresh me Beogradin, ku Kosovës do t’i bashkohej Lugina e Preshevës, ndërsa Serbisë veriu i Kosovës.

Hashim Thaçi e mohon këtë skenar. Ai iu drejtua rrjeteve sociale për të sqaruar edhe njëherë termin “korrigjim të kufijve”.

“Unë e kam hedhur poshtë me kohë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve. Unë jam duke folur vetëm për korrigjim të kufirit në mënyrë paqësore dhe në favor të Kosovës. Ndërsa, kundërshtuesit e këtij propozimi propagandojnë për ndarje dhe shkëmbim të territoreve”, thotë ai.

Për të mbështetur propozimin që ka në kokë propozon edhe zhvillimin e një referendumi.

“Në një situatë të tillë, vërtet që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimmarrjës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet”, shton më tej.

Por, a është serioz propozimi i Thaçit, që kërkon ndryshime kufijsh në favor të Kosovës nga një shtet që nuk njeh pavarësinë e saj? Presidenti i Kosovës mendon se po.

“Në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dy shtetet negociojnë në mënyrë të pavarur, të barabartë dhe si shtete sovrane. Pra Serbia në negociatat në Bruksel, ulet përballë Kosovës dhe e konsideron atë si shtet të pavarur dhe sovran”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për gazetën Tema.

Presidenti i Kosovës thotë se ndryshimi paqësor i kufijve nuk hap “Kutinë e Pandorës” në Ballkan, por gjasat janë që në tavolinën e dialogut me Serbinë, kërkesa e tij që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të bëhen pjesë e Kosovës të pasohet nga një kundërkërkesë e Beogradit për Veriun. Thaçi thotë se do ta refuzojë.

“Unë luftoj dhe mbroj interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë nuk ja qaj hallin Serbisë, në asnjë rrethanë. Mirëpo në një skenar të tillë hipotetik përgjigjia ime do të jetë “Jo”!”, deklaron ai për Temën.

Në Prishtinë, opozita e akuzon Thaçin se po zhvillon bisedime të fshehta me Beogradin për tema që nuk ka mandatin dhe legjitimitetin për të diskutuar. Por, Presidenti i Kosovës thotë se zgjedhja me shumicën prej 2/3 në Kuvendin e Kosovës e legjitimon këtë. Ai konfirmon se deri më tani e gjithë tema është hedhur për konsum publik, por në shtator, kur pritet edhe që të ndodhë takimi i parë me Vuçiç në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, do të dorëzojë një propozim konkret në tavolinë.

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian deri më tani ka qenë “injorues” ndaj propozimit të rishikim të kufijve. Në intervistën e dhënë për gazetën Tema, Thaçi shpjegon arsyen.

“BE dhe SHBA janë të interesuara dhe inkurajojnë palët që të arrijnë marrëveshje paqësore të pranueshme për të dyja palët”, sqaron ai.

Thaçi thotë se as tema e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë nuk duhet të jetë tabu, mohon se debati i hapur prej tij ka lidhje me akuzat e opozitës dhe disa analistëve që e quajnë një përpjekje të Presidentit për t’u shndërruar në faktor në bisedimet me Perëndimin për shkak të izolimit të Kosovës dhe ngritjes së Gjykatës Speciale në vjeshtë. Thotë se Gjykata Speciale është shqetësimi më i vogël që ka në dialogun me Serbinë, ndërsa mohon se Kosova është e izoluar, duke u shprehur se së shpejti do të mbërrijë liberalizimi i vizave.

Por a rrezikon ai që me këto deklarata t’i kundërvihet Kuvendit dhe të nisë procedurat e shkarkimit të tij, ashtu siç opozita kërkon? Thaçi kujton se, të paktën publikisht, ka marrë mbështetjen e gjithë spektrit politik kosovar që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

Në të gjithë këtë debat, Tirana zyrtare ka zgjedhur heshtjen dhe qëndrimin e saj nuk e di as vetë Presidenti Hashim Thaçi, të paktën kështu la të kuptohej në një tjetër intervistë dhënë për Top Channel.

“Ende nuk kam biseduar në mënyrë zyrtare me autoritetet shqiptare. Por nuk dua të besoj se Shqipëria do të jetë në pozicionin kundër vullnetit të qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Mbes me shpresë se Shqipëria do të pozicionohet në favor të drejtave të tyre”, deklaroi ai.

Por, pavarësisht qëndrimit të Tiranës, Hashim Thaçi duket se ka rezistencë të fortë për idenë e tij edhe në Prishtinë. Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli zgjodhi një gjuhë diplomatike për ta kundërshtuar, ndërsa Kryeministri Ramush Haradinaj ishte më i drejtpërdrejtë.

Kryeministri i Kosoves, Ramush Haradinaj, gjate punimeve te konferences kunder ekstremizmit te dhunshem

“Kufijtë janë vendosur me luftë, veç lufta i luan. Kush kujton se kufijtë luhen ndryshe, është gabim. Këta kufij janë vendosur nga Ushtria Çlirimtarë e Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s. Këta janë kufij lufte. Ajo çfarë ka mbetur me Serbinë është njohja e Kosovës me këta kufij”, tha ai në një konferencë për mediat.

Haradinaj ndodhet këtë të mërkurë në Vlorë, pikërisht aty ku po kalon pushimet edhe Edi Rama. Në njoftimin zyrtar të agjendës së Kryeministrit të Kosovës nuk flitet për një takim zyrtar mes tyre, por ndalesa e tij në qytetin bregdetar pikërisht në këtë periudhë zor se është një rastësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë