Ne rrjet

Thaçi dhe Kurti shkojnë në Gjermani pa një qëndrim të përbashkët

Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar sot presidentit Hashmim Thaci të konsultohen përpara konferencës së sigurisë në Mynih, në mënyrë që Kosova të prezantohet me një qendrim të unifikuar. Por edhe kësaj radhe, Prishtina duket se jetë e përçarë përballë Serbisë, pasi presidenti ka refuzuar ftesën e Kurtit, duke thënë se tanimë është nisur për në Gjermani.

Në një ftesë zyrtare, Kurti i kërkoi Thacit të bashkërendonin qëndrimet për politikën e jashtme, para nisjes për në konferencën në Munih të Gjermanisë.
.
“Politika e Jashtme është ajo që do të duhej të na bashkojë. Prezantimi sa më i denjë i Republikës sonë e tejkalon secilin prej nesh. Le ta japim tërë kapacitetin tonë intelektual e patriotik ne prezantimet e Kosovës në takimet zyrtare. Ju ftoj për sot në orën 12:00, 16:00 ose 17:30 apo edhe ne mbrëmje të takohemi dhe të dakordohemi për temat dhe për qëndrimet tona”, ka shkruar Kurti

Por Presidenti iu përgjigj duke thënë se tanimë ishte rrugës në Gjermani.
Presidenti Thaçi do të ketë takime të ndryshme në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Munihut, bilaterale, përfshirë edhe dy takime me senatorët amerikanë Ron Johnson dhe Chris Murphy, një bisedë me Ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker dhe më pas një takim me Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, si dhe me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak.

Presidenti Hashim Thaci, Gazeta Si, 2020

Po ashtu, zyra e Presidentit ka njoftuar se Thaçi do të takojë edhe të Dërguarin e Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi. Gjatë kësaj konference, Albin Kurti do të takohet për herë të parë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Takimi mes tyre është konfirmuar nga vetë presidenti i Serbisë në një intervistë për “Sputnik”.
“Albin Kurti do të jetë i pranishëm në panelin e përbashkët në Mynih, ku edhe unë do të jem i pranishëm, kështu do të shohim se si do të jetë atmosfera. Nuk mendoj se do të jetë e hapur për publikun, por më duket se do të jetë një mundësi e mirë për të vlerësuar drejtimin në të cilin mund të fillojnë bisedimet. Kjo është arsyeja pse ky qëndrim në Munih ka një rëndësi të madhe për ne, sepse do të vlerësojmë se cilët janë hapat e mëtejshëm të Qeverisë së Prishtinës, cilët janë hapat e gjermanëve, amerikanëve dhe të gjithë vendeve të tjera në bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Vuçiç.

Kreu i shtetit serb ka njoftuar po ashtu se gjatë qëndrimit të tij dyditor në Munih do të takohet edhe me Përfaqësuesin Special të presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Në një intervistë për ‘Sputnik’, Vuçiç thotë se në këtë takim me të dërguarin e Trump do të nënshkruajë edhe marrëveshjen për rikthimin e linjave hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij hekurudha e re që do të lidhë dy vendet do të ndjekë rrugën Kurshumlinë-Merdare-Prishtinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë