Politike

Thaçi: Dëgjoj banorët e Luginës, jo Berishën

Hashim Thaçi nuk e përmendi asnjëherë në emër Sali Berishën në postimin e bërë të shtunën, por qartësisht kuptohej që në shënjestër të akuzave të tij ishte ish-Kryeministri i Shqipërisë për qëndrimin e mbajtur kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës.

Presidenti i Kosovës u pyet nga KosovaPress për këtë përplasje. Fillimisht thotë se ka patur një interpretim të tepruar e të gabuar mediatik, por nuk mohon se mes tij dhe Sali Berishës ka divergjenca për këtë temë.

“Së pari, mendoj që z. Berisha ka dhënë mendimin e vet për atë se çfarë mendon për zhvillimet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Unë e respektoj mendimin e tij, por mendoj se nuk mjafton vetëm respektimi i të drejtave të njeriut për shqiptarët atje, sepse Serbia ka dështuar ta bëjë këtë në vazhdimësi. Unë konsideroj që ne kemi një mundësi të vogël që të provojmë bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën”, deklaron ai.

Bashkimin me Kosovën e kërkojnë edhe shqiptarët e Luginës dhe për Thaçin, më shumë rëndësi ka zëri i tyre sesa deklaratat e politikanëve, kudo qofshin ata.

“Kjo është ajo çfarë shqiptarët dhe përfaqësuesit politikë të Luginës janë duke kërkuar nga institucionet e Kosovës. Unë jam i prirur të dëgjoj më shumë këta të fundit, se sa këdo tjetër”, thotë ai.

Përplasja në distancë mes Thaçit dhe Berishës u interpretua në disa portale si “përplasje për çështje të hapura mes tyre të bartura nga e kaluara”. Presidenti i Kosovës e mohon këtë.

“Më vjen keq që disa media janë bërë mjeshtre të shtrembërimit të së vërtetës. Interesi shtetëror dhe nacional nuk vendoset nga lajmet e rreme, por vetëm me vendime institucionale dhe të përgjegjshme. Unë nuk kam çështje të hapura personale me asnjë lider në Shqipëri apo në Kosovë”, shton Presidenti kosovar.

Në fund, pavarësisht se ideja e tij për ndryshim kufijsh e shprehur me termin e moderuar “korrigjim” kundërshtohet nga faktorë politikë në Prishtinë e Tiranë, mbetet i bindur se ajo është zgjidhja e duhur.

“Kemi dallime kur është në pyetje dialogu me Serbinë. Pavarësisht kësaj, unë besoj në drejtësinë historike që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja duhet t’i bashkohen Kosovës”, mbyllet reagimi i Hashim Thaçit për KosovaPress.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë