Politike

Thaçi: Berisha, një gërmadhë politike. E sfidoj në një debat!

Me një gjuhë të ashpër dhe tone të papërmbajtshme, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur ish-presidentin dhe ish-kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, një gërmadhë politike.  

Duke i kthyer një përgjigje direkte, Thaçi ka deklaruar se Berisha është argat i Serbisë dhe jo e kundërta. Sipas Thaçit, Sali Berisha nuk duhet marrë seriozisht, por si një pacient.

“Sali Berisha ka mbetur si një gërmadhë politike dhe e shoqërisë. Është argat i Serbisë. Gabimi im është që e kam trajtuar seriozisht, por pas shpërthimit të tij në obligimet që ka marrë nga Beogradi për të cenuar Kosovën, e ftoj dhe sfidoj në debat ballë për ballë. Të jeni të bindur se nuk do të ndahet mirë me argumente. Merre telefon po të duash. Ka dëshmuar që prej tre dekadash është argat i Millosheviçit”, tha Thaçi në studion e emisionit “Open”.

Sipas Thaçit, Berisha ka pasur vullnetin që Kosova të mbetët nën Serbi. “E ka quajtur UÇK si terroriste. Në vitin 1999, i shkova në zyrë dhe e gjeta të çakorduar mendërisht”, deklaroi Thaçi.

Ai shkoi edhe më tej me akuzat ndaj Berishës, duke theksuar se, “Saliu ka qenë gjithmonë që Kosova të jetë autonomi kulturore nën Serbinë. Ai ka pasur vullnetin dhe ka treguar angazhim që Kosova të mbetet nën Serbi”, shtoi Thaçi, duke akuzuar se “Sali Ramë Berisha ka furnizuar Millosheviçin me kallashnikovë që të vazhdonte gjenocidin në Kosovë”.

Duke iu referuar krizës politike në Shqipëri, Thaçi e ftoi Berishën që të rikthehet në Parlament për të mos djegur përveç mandateve edhe Partinë Demokratike.

“Në Parlament, Berisha sillet me kanun, kalon në një gjendje të mjerueshme shpirtërore. Ballafaqimi që i kërkoj në studio nuk është asnjë lloj kërcënimi ndaj tij”.

Mes të tjerash, Thaçi ka deklaruar se Samiti i Berlini nuk ka prodhuar asnjë gjë të re për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por nga ana tjetër ai ka mohuar që të jetë varrosur ideja për “korrigjim kufijsh”.

“Në samitin e Berlinit nuk është kultivuar apo prezantuar ndonjë ide për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në Samit ishte ish-Jugosllavia plus Shqipëria. Janë dëgjuar të gjitha opinionet e liderëve të rajonit. Në deklaratën përmbyllëse nuk përmendet asnjë gjë. Macron na propozoi të pajtohemi dhe na ftoi në takimin e radhës më 1 korrik në Paris”, - tha Thaçi në emisionin “Open”.

Thaçi i qëndron idesë së korrigjimit të kufijve edhe pas Samitit të Berlinit. Presidenti i Kosovës insiston se më anë të korrigjimit Kosova merr territor dhe nuk jep, edhe pse duket një arsyetim i çuditshëm.

“Ideja është e imja pas takimeve me liderët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Duke parë rrezikun ekzistencial në ato treva për banorët e tyre, vlerësoj edhe sot në mënyrë transparente që ato t’i bashkangjiten territorit të Republikës së Kosovës. Është një korrigjim i padrejtësisë historike, i njoh njerëzit dhe kauzën e tyre, prandaj e shoh të nevojshme këtë korrigjim pa cenuar asnjë cm të territorit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Thaçi. “Unë jam për korrigjim, jo për shkëmbim. Këtë ide e kam prezantuar në të gjitha forumet ndërkombëtare dhe do ta prezantoj edhe në Paris”, shtoi kryeministri i Kosovës.

Thaçi ka zbardhur edhe “përplasjen” në Berlin mes kryeministrit Edi Rama dhe Ramush Haradinajt gjatë kohës që po diskutohej për pezullimin e taksës ndaj Serbisë.

Ai ka mohuar që bashkë me Ramën t’i kenë bërë presion Haradinajt për pezullimin e taksës. Sipas Thaçit, Rama i kërkoi shefit të qeverisë së Kosovës që të sillej me edukatë.

“E vërteta është ajo që ka shkruar kryeministri Edi Rama. Ka qenë një këshillë në aspektin edukativ se si të sillet në aspektin kulturor, nuk ishte presion. Rama i ka kërkuar me mirësjellje, në rrafshin edukativ për angazhimet e atyre momenteve, nuk kishte presion”, vijoi Thaçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë