Lajme

Tërmeti në Korçë, 40 çadra për banorët: Basha: Janë mes katër rrugëve!

Pak orë pas tërmeteve të forta që goditën në mëngjes Korçën dhe disa fshatra përreth, është mbledhur Shtabi i Emergjencave, ku prefekti i qarkut Dhori Spirollari tha se dëme ka pasur në fshatrat Floq, Vidohovë dhe Qafzezë.

Mësohet se Shtabi i Emergjencave ka ngritur 40 çadra të ushtrisë, të cilat do t’u vijnë në ndihmë banorëve të fshatit Floq.

Për banorët janë ofruar edhe shtretër dhe batanije. I pranishëm në fshatin Floq ishte edhe kreu i Emergjencave, Haki Çako.

“Në Floq rreth 50 shtëpi janë dëmtuar. Banorët nuk do lejohen të hyjnë. Janë të pabanueshme. Banorët janë të traumatizuar. Forcat e Armatosura kanë çuar 40 çadra. Banorët do sistemohen në çadra, para se të bjerë nata. Shkolla e Floqit do shërbejë për të vendosur banorët. Po ashtu një lokal në qendër të fshatit. Janë ofruar paketa ushqimore nga kompanitë private. Ndërkohë problem ka edhe me furnizimin me ujë. Banorët i kanë sytë nga ne, ne duhet të përgjigjemi", tha Prefekti i qarkut.

Për tërmeteve të ditës së sotme, ka reaguar në “Facebook” edhe kryedemokrati Lulzim Basha, i cili kërkon që të shpallet nga qeveria gjendja e jashtëzakonshme.

Sipas Bashës në kushtet aktuale është jetike që të dedikohen fonde të posaçme për shtëpitë e dëmtuara, pasi ata banorë kanë humbur gjithçka kishin.

“Qindra banesa janë dëmtuar nga tërmeti që goditi në orët e para të mëngjesit rajonin e Korçës. Shumë banorë kanë mbetur në qiell të hapur dhe qindra të tjerë janë në panik se çfarë do të ndodhë me banesat e tyre. Gjithçka kishin ndërtuar me sakrificë të madhe është shkatërruar, - thotë Basha.  - Duhet shpallur menjëherë gjendja e jashtëzakonshme në zonën e goditur dhe duhen dedikuar urgjent fonde për shtëpitë e dëmtuara. Familjeve të mbetura në mes të katër rrugëve dhe në gjendje tronditje dhe pamundësie totale shteti duhet t’ju ofrojë menjëherë ndihmë financiare dhe ushqim e strehë. Nuk duhet humbur asnjë çast për shkak të paaftësisë apo lojrave politike”.

Kryedemokrati bën apel që shteti të ndihmojë familjet e mbetura në mes të katër rrugëve sipas tij, për t’i ofruar ndihmë financiare, ushqim e strehë.

Qyteti i Korçës u godit ditën e sotme nga disa tërmete, duke lënë dhjetëra banesa të shkatërruara, ndërsa 4 persona u plagosën, jashtë rrezikut për jetën.

Epiqendra e tërmetit, më i madhi 5.3 ballë, ka qenë në fshatin Floq, ku dhe janë shkaktuar dëmet më të mëdha materiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë