Treg

Tërmeti na zbuloi Shqipërinë turistike për Vit të Ri

Artemisa së bashku me bashkëshortin dhe vajzën ka preferuar të zgjedhë qytetin e Beratit për të festuar natën e ndërrimit të viteve.

“Ditën menjëherë pas tërmetit shkuam në Berat për t’iu përvjedhur frikës. Qëndruam gati një javë. Familjarisht na pëlqen Berati sepse ka njerëz të qetë, nuk ka rrëmujë dhe gatuajnë shumë mirë. Kam qenë edhe jashtë vite të tjera për të festuar ardhjen e Vitit të Ri, por këtë vit për t’i shpëtuar zhurmës së Tiranës, po zgjedhim Beratin”- shprehet Artemisa për gazetën “Si”.

Ashtu si Artemisa edhe shumë familje të tjera që vite më parë kanë preferuar ti festojnë festat e fundvitit jashtë kufirit, këtë vit kanë vendosur t’i festojnë në shtëpitë e tyre ose të lëvizin në qytete të ndryshme brenda Shqipërisë, kryesisht Korçë, Berat e Pogradec.
Këtë e konfirmojë edhe disa agjentë turistikë, të cilët pohojnë se gjendja ekonomike, kriza e tejzgjatur politike dhe tërmeti kanë ndikuar në uljen e kërkesave për paketa turistike jashtë vendit për festat e fundvitit.

Migen Xhelo nga Travel Club Albania pohon për gazetën “Si” se ky vit ka qenë dhe më i keqi ndër tre vitet e fundit.

“Në qoftë se vitet e tjera shqiptarët për festa preferonin të bënin pushime jashtë, kryesisht destinacionet që janë afër si Kolashin, Mavrovë, Budva, Selanik që janë destinacionet më të lira ku një pakete 3 ditore fillon nga 89€, sivjet kërkesat janë shumë të rralla. Pra edhe ata që çdo vit udhëtonin, sivjet jo. Ndoshta ndikoi dhe çështja e tërmetit dhe e them këtë pasi pas situatës që ndodhi me tërmetin, u prenë kërkesat si me thikë. Por sigurisht që dhe situata ekonomike nuk është aspak e mirë.”- shprehet Xhelo.
Ai thotë se ofertat nuk mungojnë, madje janë edhe më të pasura se vitin e kaluar.
Sipas Xhelos brenda Shqipërisë mbetet Korça destinacioni më i bukur për festat e fundvitit. Ndërsa jashtë Shqipërisë, thotë ai ofertat nisin nga 89€ në Stamboll, Selanik, Budva, Kolashin dhe vazhdojnë deri të 1000€ në Dubai dhe destinacione të tjera të tilla.

“Kemi paketa me Charter për Sharm el Sheikh duke filluar nga 500 euro për person all inclusive. Pra oferta ka plotë po nuk ka kërkesa.”- shprehet Xhelo.

Të njëjtën gjë konfirmon edhe Matilda nga Explorer Travel & Tours.

Ajo shpjegon për gazetën “Si” se çmimet në raport me vitin e kaluar janë më shtrenjtë dhe kërkesat në rënie krahasuar me vjet.

“Ato kërkesa që vijnë për të festuar fundvitin jashtë preferojnë paketa 1natë /2 ditë ose 2 netë/3 ditë kurse destinacionet e kërkuara janë Mavrovë, Kolashinë, Struga, Budva, Ulqini, Voskopoja, Dardha. Kjo për shkak se dhe çmimet e paketave për këto destiancione janë të përballueshme nga qytetarët. Ajo që kam vënë re këtë vit, klientët që në fillim kanë përcaktuar buxhetin dhe nuk kanë lëvizur asnjë qindarkë prej tij. Kërkesa ka pasur edhe për Stambollin dhe Parisin, por të limituara.”- shprehet Matilda.

Edhe për të, tërmeti, bashkëngjitur edhe gjendjen ekonomike kanë qenë arsyet pse kërkesat janë shfaqur në rënie këtë vit, “sepse jo të gjithë kanë fuqinë monetare për të lëvizur jashtë.”- thotë ajo.

Matilda tregon se pranë Explorer Travel & Tours paketat më të kërkuara për këtë fundvit kanë qenë (Tur në Budva dhe Kotor) - Çmimi 109 Euro/ Person 3 Ditë, Stambolli - Çmimi 119 Euro(3 ditë), Viti i Ri në Strugë - Çmimi 140 Euro/Person (3 ditë).

Kurse Besnik Vathi nga ATHS paraqet një tablo më optimiste.

Sipas tij tregu paraqitet gati njëjtë si vitin e kaluar. Ofertat shpjegon ai për gazetën “Si”, janë shumë të diversifikuara dhe ka për çdo lloj buxheti. Sigurisht që paketat e shtrenjta i blejnë pak klientë, thotë ai, ata që kanë të ardhura të larta.

Por jeta shprehet Vathi, vazhdon edhe pas tërmetit, edhe në një situatë të rënduar politike dhe ekonomike. “Njerëzit blejnë sipas mundësive. Destinacionet më të kërkuara për këtë vit kanë qenë ato të rajonit ku paketat nisin nga 45 euro”- thotë vathi.

Global Travel hap një dritare akoma më optimiste.

Sipas një prej agjentëve të kësaj kompanie, këtë vit ka vërejtur se më shumë shqiptarë se vitin e kaluar preferojnë të kalojnë pushimet e fundvitit jashtë kufijve.

Sipas tij, destinacionet e preferuara të ofruara nga Global Travel për Vitin e Ri kanë qenë vendet e largëta; Maldive, Dubai, etj ku paketa për person nis nga 700 euro në varësi të periudhës së rezervimit.

Por, për personat me buxhet mesatar dhe të vogël, thotë agjenti i Global Travel për gazetën “Si”, mbeten vendet e Ballkanit për të bërë ski. Sipas tij, këtë vit Europa ka qenë më pak e kërkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë