Lajme

Tërmeti, Lleshaj në Shijak: Banorët të zhvendosen në qendrat e pritjes

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mesditën e sotme ka shkuar në zonat më të prekura nga tërmeti i së shtunës ku përfshihen fshatrat Bodinak, Karpen, Karreç dhe Bilalas në Bashkinë e Shijakut. I shoqëruar edhe nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe pushtetit lokal, ka shpërndarë disa pako me ushqime dhe veshmbathje për familjet më në nevojë.
Ndërkohë, ministri u ka bërë apel familjeve që kanë banesat më të dëmtuara, të zhvendosen përkohësisht në qendrat e përkohshme pritëse dhe Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Durrës.
“Unë ftoj qytetarët, të cilët ndodhen në kushte të tilla, të mundohen të gjejnë mundësi për të bashkëpunuar dhe për t’u evakuuar drejt qendrave të pritjes që kemi krijuar në Durrës.
Unë e di që kanë probleme, kanë bagëti, kanë materiale por më e rëndësishmja nga të gjitha është të garantojmë sigurinë e këtyre qytetarëve. Kështu që u bëj thirrje të gjithë atyre qytetarëve që janë në kushte të ngjashme me këtë familje këtu, të bashkëpunojnë për t’u evakuuar drejt qendrave të pritjes që kemi ndërtuar!”, është shprehur ndër të tjera ministri Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë