Politike

Tërmeti dikton samitin e “Shengenit Ballkanik”, dilemat e pjesëmarrjes

Tërmeti i 26 nëntorit ka zhvendosur si vendin e organizimit të samitit të tretë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të nismës për “Shengenin Ballkanik”, ashtu edhe agjendën e përcaktuar nga pala shqiptare, si organizatore e këtij takimi.

Samiti ishte parashikuar që të zhvillohej në Durrës në datat 20 dhe 21 dhjetor, por tashmë do të mbahet në Tiranë. Në njoftimin e shpërndarë nga Kryeministria fjala “Shengen Ballkanik” shmanget dhe në vend të saj përdoret “Katër liritë e BE-së”.

“Takim i liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për thellimin e bashkëpunimit për përshpejtimin e “Katër lirive të BE-së”. Ky takim është në vijim të dy takimeve të mëparshme të këtij niveli, të zhvilluara në Novi Sad, Serbi dhe në Ohër, Maqedoni e Veriut, ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Sipas agjendës, samiti do të shfrytëzohet nga Kryeministri Edi Rama për të njohur të ftuarit me nismën e bamirësisë “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”. Një event në kuadër të kësaj nisme do të zhvillohet në Parkun Olimpik, ku do të marrin pjesë edhe delegacionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

E shtuna e 21 dhjetorit nis me vizitën e Ramës dhe të ftuarve në disa zona të prekura nga tërmeti në Durrës dhe më pas rikthehen në Tiranë për takimin e liderëve. Në mesditë zhvillohet seanca me pjesëmarrjen e delegacioneve dhe pas kësaj samiti mbyllet me konferencën e përbashkët për shtyp që mbahet në Hotel Rogner.

Dilemat e pjesëmarrjes

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, të mbajtur në përfundim të samitit të Ohrit, të zhvilluar më 10 nëntor, Kryeministri Edi Rama u shfaq i tradhtuar nga mungesa e Kosovës.

Ai foli për vetëizolim të Prishtinës dhe iu përgjigj akuzave se po ndihmonte në krijimin e Jugosllavisë së re dhe në fund u shpreh optimist se samiti që do të organizohej nga Shqipëria ta gjente Kosovën me Qeverinë e re dhe ajo të merrte pjesë në të.

Por, Kosova është ende pa një qeveri. Bisedimet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së kanë ngecur mbi ndarjen e posteve ministrore dhe Presidentit të vendit. Si të mos mjaftonte kjo në Prishtinë ka ngjallur reagime të forta edhe deklarata e Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç që mohoi autorësinë serbe të masakrës së Reçakut, duke e cilësuar atë si sajesë.

Kjo ka bërë që në Kosovë jo vetëm të kërkohet sërish bojkoti i samitit për shengenin ballkanik, por t’i bëhet thirrje Tiranës që të refuzojë pjesëmarrjen e Presidentit serb në këtë samit.

Dilemat, të paktën në nivelin e përfaqësimit mbeten edhe tek Mali i Zi. Në Ohër, Podgorica u përfaqësua nga ministrja e Ekonomisë, Dragica Sekuliç. Kjo e fundit, pak ditë pas këtij samiti doli hapur kundër nismës, që për Malin e Zi e konsideroi “humbje kohe dhe energjie”.

Kryeministri Edi Rama, kreu i qeverisë maqedonase Zoran Zaev ,presidenti serb Aleksander Vuçiç dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryetari i Këshillit të ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdic dhe ministrja malazeze e Ekonomisë Dragica Sekulic. Gazeta Si, 2019

Ajo tha se Mali i Zi është një anëtar i CEFTA, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Europës Qendrore, një iniciativë rajonale për vendet e Ballkanit Perëndimor që garanton qarkullimin e lirë të njerëzve të mallrave.

“Unë i kuptoj nismëtarët. Këto janë vende që, për shkak të barrierave të ndryshme tregtare që i kanë vendosur njëri-tjetrit, mund të ketë nevojë për një iniciativë të re për të premtuar përsëri se ata do të bëjnë atë që ne e kemi bërë prej kohësh”, tha Sekuliç në televizionin publik malazez.

Në vazhdën e këtyre zhvillimeve e deklaratave, samiti i Tiranës për “Shengenin Ballkanik” me gjasë do të vulosë që krisja Tiranë-Prishtinë, e nisur që në takimin e parë të Novi Sadit dhe e thelluar në takimin e Ohrit, të rezultojë një ndarje pa kushte rreth këtij projekti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë