Futboll

Tërmet tek Italia, Roberto Mançini jep dorëheqjen nga detyra e trajnerit

Gazeta Si – Tërmet tek Italia. Trajneri i kombëtares ‘axurre’, Roberto Mançini, ka dhënë dorëheqjen nga detyra me efekt të menjëhershëm. Një vendim i papritur, që ai e ka marrë gjatë natës.

Njoftimi zyrtar është bërë edhe nga Federata Italiane e Futbollit, që ka bërë me dije gjithashtu se ditët e ardhshme do të zgjidhet pasardhësi i Mançinit. Lajmi vjen si një rrufe në qiell të pastër, më pak se dy javë pasi Mançini ishte emëruar përgjegjës i projektit ‘Club Italia’ për të koordinauar gjithë sektorin kombëtar deri tek U-20.

Roberto Mançini, ish-trajneri i Italisë. Gazeta Si, 13 gusht 2023

Mançini kishte kontratë deri në vitin 2026, ndaj dhe i ka surprizuar të gjithë me largimin pas 5 vitesh, ku ka përjetuar gëzime të mëdha, si trofeu i Euro 2020, por edhe zhgënjime të mëdha, si mospjesëmarrja në Botërorin e Katarit.

Tani fillon ‘valsi’, me emra të ndryshëm që lakohen për të marrë drejtimin e Italisë, duke nisur nga Luçiano Spaleti, i lirë pas largimit nga Napoli, ku u shpall kampion, e deri tek Antonio Konte, pa skuadër që pas ‘divorcit’ me Totenhemin në pranverë.

“Federata italiane bën me dije se ka pranuar dorëheqjen e Roberto Mançinit nga detyra e trajnerit të kombëtares. Mbyllet kështu një faqe domethënëse e historisë, që kishte nisur në maj të 2018-ës. U mbyll me finalet e Ligës së Kombeve 2023, ndërsa në mes ishte fitorja në Euro 2020, një triumf i një grupi, ku të gjithë ditën të ishin skuadër”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të Federatës Italiane të Futbollit".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë