Bota

Tërmet në Nepal, më shumë se 150 të vdekur

Më shumë se 150 njerëz kanë vdekur pas një tërmeti që goditi Nepalin të premten.

Epiqendra e lëkundjeve të tokës ishte në zonat perëndimore të vendit, Jajarkot. Si pasojë, shtëpi dhe ndërtesa të ndryshme u shembën. Dridhjet e tokës u ndjenë deri në Neë Delhi të Indisë.

Zëdhënësi i ushtrisë tha se më shumë se 100 njerëz janë plagosur dhe spitali i Jajarkotit është i tejmbushur.

Tre lëkundje të tjera u ndjenë brenda një ore pas tërmetit dhe shumë njerëz e kanë kaluar pjesën tjetër të natës në ambient të hapur për shkak të frikës nga tërmete të mëtejshme dhe dëmtime në shtëpitë e tyre.

Kryeministri i Nepalit Pushpa Kamal Dahal mbërriti në rajonin e prekur ditën e sotme, pasi shprehu "dhimbjen e tij të thellë", në platformën e mediave sociale X. Ai tha se kishte urdhëruar agjencitë e sigurisë që të nisnin menjëherë shpëtimin dhe operacionet e ndihmës.

Por këto operacione kërkim-shpëtimi po pengohen nga bllokimi i rrugëve nga rrëshqitjet e dheut që u shkaktuan nga tërmeti.

Shefi i policisë së qarkut Jajarkot Suresh Sunar i tha agjencisë së lajmeve Reuters se është e vështirë të flitet për dëme pasi janë të mëdha.

Tërmeti u regjistrua në orën 23:47 me orën lokale, sipas Qendrës së Monitorimit dhe Kërkimit të Nepalit.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së thotë se tërmeti ishte me magnitudë 5.6.

Në vitin 2015, vendi pësoi dy tërmete shkatërruese në të cilat 9,000 njerëz vdiqën dhe 22,309 u plagosën.

I pari, më 25 prill 2015, ishte një tërmet me magnitudë 7.8 i cili shkaktoi pjesën më të madhe të dëmeve dhe humbjeve të jetëve që pasoi një numër të madh pasgoditjesh, duke përfshirë një që ishte 7.3 në maj të atij viti.

Tërmetet shkatërruan më shumë se 800,000 shtëpi kryesisht në rrethet perëndimore dhe qendrore, sipas Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq.

Ndërtesat qeveritare, disa pjesë të rrugëve dhe monumentet e famshme historike të Luginës së Katmandu, vende të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, u shkatërruan ose u dëmtuan me shumë fshatra në veri të Katmandu që u rrafshuan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë