Futboll

Tërhiqet Iker Kasilas: Faleminderit futboll, më dhe gjithçka që ëndërroja

Iker Kasilas, 39 vjeç, kampion Bote dhe Europe, fitues i shumë e shumë trofeve në nivel kombëtareje dhe klubesh, tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur. Pas më shumë se një viti nga momenti kur pësoi infarkt gjatë stërvitjes me Porton, portieri spanjoll ka zyrtarizuar vendimin që ka dashur ta vonojë sa më shumë. Me një postim të gjatë në rrjetet sociale, Kasilas i falënderon të gjithë për mbështetjen.

“Sot është një nga ditët më të rëndësishme dhe më të vështira të jetës sime sportive: momenti i lamtumirës”. Kështu e nis letrën e tij të gjatë të publikuar në Tuiter Iker Kasilas. Pas 30 vitesh duke pritur topa, siç shpjegon vetë portieri i Spanjës që fitoi gjithçka dhe i Realit galaktik, ka ardhur koha për t’u tërhequr.

Iker Kasilas, portieri i njohur spanjoll. Gazeta Si, 4 gusht 2020

Ishte logjike të ndodhte kështu, edhe pse disa herë vetë Kasilas kishte përgënjeshtruar zërat e lamtumirës nga futbolli i luajtur. “Shën Ikeri”, siç e kanë pagëzuar, mund ta bënte të ditur vendimin në çdo moment, por priti Kupën e Portugalisë, që Porto e fitoi. Me mbylljen e sezonit vjen edhe tërheqja e tij, mes shumë falënderimesh për Realin dhe Porton, skuadrat që i besuan, për trajnerët dhe presidentët që kanë qenë të rëndësishëm në realizimin e ëndrrave të tij të fëmijërisë.

Falënderime edhe për shokët e skuadrës, kundërshtarët dhe tifozët e skuadrave të tij e shumë të tjerave për respektin që kanë treguar për të gatë karrierës së gjatë. Një falënderim i veçantë për familjen, sidomos pas asaj që ndodhi vitet e fundit. “Faleminderit bashkëshortes dhe fëmijëve dhe më falni për kohën që nuk munda t’u dedikoj”, - shkruan spanjolli në letër. Por falënderimi më special është sigurisht për futbollin. “Faleminderit futboll që më dhe gjithçka!” - shkruan Kasilas pas një karrierë të papërsëritshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë