Rend dhe Ligj

Tentuan të korruptojnë policët, dy shoferë përfundojnë në pranga në Korçë

Policia e Korçës ka vënë në pranga dy shoferë, pasi tentuan të korruptonin punonjësit e policisë rrugore me qëllim shmangien e masave administrative. Njëri prej të cilëve ushtronte shërbimin taksi i palicencuar dhe tjetri drejtonte mjetin pa rrip sigurimi.

Në pranga ka përfunduar shtetasi E. N., 39 vjeç, banues në Korçë, pasi pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Zëmblakut”, është kapur me mjetin e tij tip “Benz”, duke ushtruar pa licencë shërbimin taksi, i cili për të shmangur masën administrative, iu ka ofruar ryshfet punonjësve të policisë.

Po ashtu, në pranga ka përfunduar edhe shtetasi E. H., 22 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 17, është kapur duke drejtuar mjetin tip “BMW”, pa vendosur rripin e sigurimit, i cili për të shmangur gjobën, ka tentuar t’i korruptojë punonjësit e policisë.

Gjatë kësaj jave, nga Policia Rrugore e Korçës janë proceduar penalisht edhe 4 shtetas të tjerë, tre prej të cilëve për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe një tjetër për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Ndërkohë, janë pezulluar 7 leje drejtimi, janë vendosur 39 masa administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 141 masa të tjera për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit.

Ndër të tjera, Policia Rrugore apelon qytetarët që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikat vertikale e horizontale, të shmangin përdorimin e alkoolit dhe celularit gjatë drejtimit të mjetit, të vendosin rripin e sigurimit, kaskat mbrojtëse, si edhe të denoncojnë çdo shkelje të Kodit Rrugor të evidentuar prej tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë