Ka ndodhur

Tenton të korruptojë policët në Milot-Morinë, arrestohet i riu kosovar

Një 28-vjeçar nga Kosova është arrestuar në autostradën Milot-Morinë, pasi ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë me 20 euro.

I riu Gj. T. është ndaluar nga policia për parakalim të gabuar, duke rrezikuar përfshirjen në aksident rrugor, por ka tentuar të shpëtojë me kartëmonedhën 20 euroshe.

"Punonjësit e Policisë kanë bërë shoqërimin e këtij shtetasi në DVP Lezhë dhe në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar kanë bërë arrestimin 28-vjeçarit, për veprën penale 'Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike'", thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu, gjatë patrullimit në autostradën Milot-Morinë, policia ka konstatuar dhe ndëshkuar 38 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, të cilat janë burim për përfshirje në ngjarje rrugore.
Ndër të tjera, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve të kufizojnë shpejtësinë, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë dhe të mos tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore, por të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë