Ka ndodhur

Tentoi të trafikonte 50 emigrantë drejt Italisë, lihet në burg skafisti

Gjykata e Vlorës ka lënë në burg Emiljano Likajn, i cili drejtonte gomonen me emigrantë që u fundos më 8 janar.

26-vjeçari tentoi që me gomone të trafikonte 50 emigrantë drejt Italisë.

Më herët, për këtë ngjarje janë arrestuar Qazim Ismailaj dhe Fatos Dushe, përkatësisht pronari i një hoteli në Tiranë dhe pronari i një banese, pasi kishin strehuar klandestinët para se ata të niseshin me gomone drejt Italisë.

Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Qazim Ismailajn, i cili akuzohet për veprën penale dhënie ndihme të paligjshme për kalim të kufirit dhe për strehim të 55 klandestinëve nga Lindja e Mesme që u gjetën në grykëderdhjen e lumit Vjosa pak ditë më parë.

Në burg është lënë edhe pronari i hotelit Fatos Dushe, i cili gjithashtu kishte strehuar klandestinët në hotelin e tij.

Më 9 janar në grykëderdhjen e Vjosës u shpëtuan 50 sirianë nga një gomone që po mbytej. Klandestinët ishin nisur me gomone në Itali, por për shkak të motit të keq për tre orë ata kanë qenë të bllokuar mes dallgëve me madhësi mbi 5 ballë.

Ata kanë lëshuar sinjalin ‘sos’ dhe më pas kanë telefonuar policinë, e cila ka mbërritur në kohë duke evidentuar kështu tragjedinë që mund të kishte ndodhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë