Ka ndodhur

Tentoi të kalojë në kufi 4 kosovarë, arrestohet 51-vjeçari me banim në Belgjikë

Një 51-vjeçar shqiptar, me banim në Belgjikë, është arrestuar, pasi tentoi që të kalojë në mënyrë të paligjshme në kufi katër shtetas nga Kosova.

Sipas policisë, gjatë ndalimit të një furgoni në Portin e Durrësit, ndodheshin 4 shtetas kosovarë, të cilët shtetasi S.N., dyshohet se do t’i ndihmonte të kalonin në mënyrë të kundërligjshme territorin shqiptar përmes Pikës Kufitare të Portit të Durrësit, përkundrejt fitimit, duke përdorur dokumente të ngjashme me të disa shtetasve të tjerë.

Policia thotë se 51-vjeçari, banues në Belgjikë, u vu në pranga për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve".

Gjithashtu, policia ka proceduar penalisht për veprën penale "Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror", shtetasit kosovarë: A. H., 35 vjeç, B. D., 33 vjeçe, L. M., 26 vjeç dhe S. Zh., 40 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dokumentet e përdorura nga këta shtetas dhe automjeti me të cilin po transportoheshin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë