Bota

Tensionet për fondet dhe armët, Zelenski anulon papritur takimin me Senatin Amerikan

Gazeta Si - Volodimir Zelenski në mënyrë të papritur anuloi pjesëmarrjen e tij në një takim virtual me senatorë amerikanë për të mbrojtur çështjen për ndihmë për Ukrainën.

“Diçka ndodhi në minutën e fundit”, konfirmoi lideri i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, i cili kishte njoftuar kthimin në Uashington të presidentit ukrainas.

Zelenski pritej të informonte senatorët mbi zhvillimet në konfliktin në Ukrainë dhe nevojën për ndihmë të mëtejshme përpara votimit të Senatit të SHBA për paketën prej 106 miliardë dollarësh të paraqitur tetorin e kaluar nga administrata Biden, duke përfshirë më shumë se 61 miliardë dollarë të destinuara për Kievin.

Tërheqja e Zelenskit mund të jetë për shkak të një emergjence në terren ose për reflektimin se, me ngërçin në negociatat në Kapitol Hill për paketën e re të ndihmës të kërkuar nga Biden, nuk ishte koha e duhur për të dalë në vijën e parë me një apel i ri.

Vetëm një vit më parë, presidenti ukrainas erdhi personalisht në Uashington, i pritur me nderime të mëdha në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres.

Por në këto 12 muaj skenari ka ndryshuar: lufta në Gaza ka lënë në hije atë në Ukrainë, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve është në duart e republikanëve armiqësorë ndaj "çeqeve bosh" në Kiev dhe me afrimin e zgjedhjeve presidenciale, Biden ka më pak hapësirë ​​për manovrim se vitin e kaluar.

Senati i kontrolluar nga demokratët paraqiti një projektpropozim prej 110.5 miliardë dollarësh që trajton kërkesën e presidentit. Udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se ai do të përpiqet të thyejë ngërçin duke u ofruar republikanëve mundësinë për të shtuar një amendament për kufirin tek ligji i ndihmave për Ukrainën dhe Izraelin.

Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, i cili foli menjëherë pasi zoti Schumer bëri propozimin për amendamentin, tha se ai do t'i nxiste republikanët e Senatit që të votojnë kundër projektpropozimit të mbështetur nga Demokratët.

“Jemi seriozë kur flasim për ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si e mbrojmë kufirin tonë jugor si pjesë e paketës së plotë”, tha zoti McConnell. “Shpresoj që të gjithë anëtarët tanë të votojnë kundër”, tha republikani McConnell.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë