Kosova

Tensionet në Veri, ushtria serbe dërgon forca drejt kufirit me Kosovën?

Forcat ushtarake të Serbisë kanë nisur të afrohen me vijën kufitare me Kosovën. Lajmi bëhet i ditur nga gazetari i The Economist, Tim Judah, i cili shkruan se vendimi për të dërguar trupa në kufi mund të përshkallëzojë më tej situatën.

Sipas tij, situata e krijuar në Veri të Kosovës është një ‘mundje duarsh” mes presidentit Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurtit.

“Ushtria serbe raportohet se është afruar drejt kufirit me Kosovën pas vendosjes së Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit. Tensionet vijnë pasi Qeveria e Kosovës ka vendosur rregulla të njëjta lidhur me licencat e targave me ato të Serbia për target nga Kosova”, ka shkruar Judah në Twitter.

“Kjo mundje duarsh Vuçiç – Kurti mund të jetë e rrezikshme”, shkruan ai.

Paraprakisht Judah ka shpërndarë një video në të cilën shihen automjete ushtarake të cilat thuhet se janë parë në afërsi të Novi Pazarit.

Tensionet në pikën kufitare në Jarinje kanë bërë që Kosova të shtojë forcat policore që nga mëngjesi i së hënës, kur ka filluar zbatimi i reciprocitetit të targave të Kosovës.

Forcat speciale të Policisë së Kosovës kanë kontrolluar situatën, duke ruajtur rendin.

Mirëpo, në raportimet e mediave serbe është vënë theksi tek snajperistët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë marrë edhe vëmendjen e presidentit Vuçiç. Mediat në Serbi kanë analizuar më kujdes makineritë e blindura të vendosura në kufi nga Kosova, duke shkruar se Prishtina është armatosur nga Amerika.

Duke folur pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, presidenti kishte përmendur snajperët, duke thënë se “shqiptarët kanë angazhuar snajperistët që të mbulojnë shtëpitë e të rinjve serbë që mund të kundërshtojnë aksionin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë