Politike

Reciprociteti për targat, Rama: Kosova të dialogojë. Basha akuzon Vuçiç: Fals te Ballkani i Hapur

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Kosovës për reciprocitet ndaj Serbisë lidhur me mjetet që hyjnë në Kosovë me targa serbe

“Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%). Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë,” - shkruan Rama në Twitter.

Vendimi i qeverisë kosovare hyri në fuqi të hënën (20 shtator). Në bazë të vendimit, mjetet që hyjnë në Kosovë me targa serbe, duhet të pajisen me targa të përkohshme. Pajisja me këto targa duhet të bëhet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës. Targat duhet të vendosen në vende të dukshme dhe për pajisjen me këto targa duhet paguar taksa 5 euro.

Pas Edi Ramës, vendimin e Kurtit e mori në mbrojtje, Lulzim Basha. Kreu i PD tha se gjuha kërcënuese e Beogradit i përket së shkuarës.

“Gjuha kërcënuese e Beogradit i përket një të shkuare që askush nuk e kthen dot më! Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit”, shkroi Basha.

Sipas Bashës, vendimi legjitim nuk cenon asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel mes dy vendeve dhe reagimet e Vuçiç zbulojnë qëllimet e vërteta të Presidentit serb, që fshihen pas falsitetit të “Ballkanit të Hapur”.

“Qëndrimet e Beogradit ndaj vendimit legjitim dhe që nuk cenon asnjë marrëveshje të nënshkruar në Bruksel nga qeveria e Republikës së Kosovës, zbulojnë qëllimet e vërteta të Vuçiç dhe fshehjen pas falsitetit të iniciativës së Novi Sadit”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë