Kosova

Vuçiç: Të tërhiqen të gjitha trupat nga veriu i Kosovës e pastaj të ulemi të bisedojmë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka thënë se në mënyrë që Kosova e Serbia të kthehen në bisedime, duhet që situata në veri të Kosovës të kthehet siç ka qenë më herët, para vendimit të Qeverisë së prishtinës për zbatimin e reciprocitetit për targa.

Ai veprimin e autoriteteve të Kosovës për këtë masë në pikat kufitare, e ka cilësuar “veprim kriminal”. Në konferencën për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Vuçiç ka thënë se ka marrë një propozim nga shtetet e fuqishme të botës por e ka refuzuar.

Vuçiç ka thënë se Serbia “do të vazhdojë të insistojë për paqe dhe siguri të serbëve”.

“Serbia është gjithmonë e gatshme të pranojë dialogun, por nuk do të pajtohet për veprime të njëanshme dhe në biseda me shtetet e forta të botës kam marrë një propozim se si do të mund të ishte një zgjidhje kompromisi, dhe e kam refuzuar sepse nuk është një kompromis, por poshtërim për Serbinë”, ka thënë ai në konferencën për media. “Zgjidhja e vetme është tërheqja e të gjitha trupave nga veriu i Kosovës, të kthehemi në situatën e mëhershme, e më pas mund të shkojmë e të bisedojmë”.

Vuçiç ka kërkuar një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian, nëse marrëveshjet e Brukselit janë në fuqi apo jo. Ka thënë se për këtë do të presë muajin e ardhshëm e nëse s’merr përgjigje “është shenjë se marrëveshjet s’ezksitojnë”.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.

Kreu serb tha se ndër tjerash u analizua armatimi i ushtrisë dhe policies së Kosovës. Ai shtoi se këtë mëngjes bisedoi me ambasadorët e vendeve më të fuqishme perëndimore, ambasadorët e Quintit, të cilët i kanë propozuar një “zgjidhje kompromisi”, por që Serbia e hedhur poshtë duke e cilësuar “të papranueshëm”.

“Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është kompromis, por një zgjidhje që do ta poshtëronte Serbinë. Është një zgjidhje nëpërmjet të cilës shqiptarët do të tërhiqnin 70% të masave te reciprocitetit të planifikuara nga qeveria Kurti por do të mbanin 20/30 përqind të masave. Kam marrë pëlqimin e Këshillit për refuzim. Unë e refuzova sepse ata nuk nuk mund të flasin kështu me Serbinë”, tha Vuçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë