Politike

Mungoi Basha dhe gazi lotsjellës. Opozita ‘zë’ Kuvendin dhe policinë

Në protestën e gjashtë të opozitës, mungoi këtë të enjte kryedemokrati Lulzim Basha. Ai kishte nxjerrë gjithë të tijtë në sheshin përpara Parlamentit, ndërsa vetë ishte në Bruksel, në mbledhjen e Partive Popullore Europiane. Në protestën e gjashtë të opozitës, mungoi gjithashtu edhe gazi lotsjellës…

Aty rreth orës 09.30, paralelisht me nisjen e seancës plenare, nisi edhe protesta e opozitës së bashkuar. Ish-deputetët demokratë iu bashkuan simpatizantëve të Partisë Demokratike, të cilët pasi nuk u lejuan të kalojnë përmes Pedonales, ndryshuan rrugën. Mes tyre ishin Ervin Salianji, Fatmir Mediu, Edi Paloka dhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili ishte dhe organizatori i protestës dhe kryetarja e Lëvizjes për Integrim, Monika Kryemadhi. Duke qenë pa liderin demokrat, protestuesit nuk janë mbledhur para Kryesisë së PD-së, por turma u nis nga sheshi “Skënderbej”.

Policia nga ana e saj kishte marrë masat e saj, duke vendosur kordon në një perimetër të gjerë rreth Parlamentit si dhe gardh prej hekuri.

Protestës iu bashkuan edhe banorët e Astirit, të cilët që në fillim u përplasën me forcat e policisë në hyrje të Pedonales. Ata shoqëroheshin nga ish-deputeti demokrat, Klevis Balliu. Pasi kanë hasur në rezistencën e policisë, kanë shmangur kalimin përmes Pedonales dhe janë nisur drejt Kuvendit përmes rrugës kryesore.
Ndërsa brenda në Kuvend janë betuar tre deputetët e rinj nga radhët e LSI, Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Eneda Koçiraj.
Më vonë, protestuesve u është bashkuar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili u prit me ovacione të mëdha nga turma e mbledhur para Kuvendit të Shqipërisë.
Situata u tensionua pas hedhjes së shashkave, tymueseve dhe bidonëve të ujit në drejtim të policisë nga ana e protestuesve.

Disa herë protestuesit tentuan të çajnë edhe kordonin policor. Kërkesa që ka mbizotëruar ka qenë e njëjtë si në protestat e tjera, dorëheqja e kryeministrit Rama. “Rama ik, Rama ik”, ishin thirrjet e tyre të vazhdueshme.

Policia, nga ana e saj, ka bërë thirrje me megafon për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur episode të dhunës në protestë.
Policia iu drejtua me megafon organizatorit të protestës, sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi që të largojë nga protesta persona që kanë të maskuar fytyrën për të fshehur identitetin e tyre, me dyshimet sipas uniformave blu se mund të kryejnë akte të dhunshme.
“Z. Bardhi, në mes të protestuesve keni njerëz që mbajnë maska. Si organizator i tubimit ju bëjmë thirrje të merrni masa për largimin e tyre nga tubimi”, ishte thirrja e policisë ndaj Bardhit.
Ndërsa, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, duke folur përpara protestuesve tha se kjo qeveri po përdor forcat policore speciale kundër qytetarëve shqiptarë, kundër qytetarëve të Unazës së Re, kundër çdokujt që proteston dhe reagon ndaj kësaj qeverisje kriminale.
“Kjo qeveri ka kthyer Forcat Speciale kundër popullit shqiptar, kundër protestuesve në Astir dhe kudo ku protestohet kundër zullumit të kësaj qeverie. Në këtë parlament ndodhen kriminelë dhe hajdutë të Shqipërisë. Edi Rama është fajtori pse Shqipëria u mbush me drogë, pse rinia ikën dhe pse vendi është sot në një krizë të thellë institucionale dhe politike”, tha Paloka.

Ai shtoi se e di se policët janë aty për të marrë një rrogë, ndërsa shtoi se nëse ka policë të ndershëm, ata duhet që të bashkohen me protestuesit.
“Policët e ndershëm të bashkohen me qytetarët, të bashkohen me ata që rezistojnë dhe jo me krimin dhe bandën në qeverisje. Bandat e hashashit janë në qeverisje dhe qytetarët do të rezistojnë. Kjo rrugë e jona nuk ka më kthim pas”, deklaroi Paloka.
Teksa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka bërë thirrje për të mos u ndalur për të rrëzuar qeverinë, protestuesit janë nisur drejt kordonit të policisë, duke u përpjekur të futen me forcë brenda perimetrit të sigurisë, gjë që ka sjellë zhvendosjen e kordonit të policisë.
“Nuk ka asnjë hap pas. Le ta djegim këtë sistem, ne do të vijojmë rrugën tonë”, u shpreh Kryemadhi.

Shtyrjet ishin të vazhdueshme të shoqëruara nga hedhja e shashkave dhe e tymueseve. Nga eksperienca e protestave të mëparshme të opozitës, u duk se ky ishte momenti kur mendohej se do të hidhej gaz lotsjellës. Policët vendosën maskat kundër gazit, makina shihedhëse brenda në ambientet e Kuvendit bëri disa metra para dhe të gjithë po prisnin lëshimin e gazit. Por në atë moment shtyrja dhe hedhja e shashkave nga protestuesit u ndërpre. Për herë të parë në protestat e këtij viti të opozitës nuk pati hedhje gazi lotsjellës. Mund të jetë ndoshta rastësi, por kjo gjë përkoi me të vetmen protestë që nuk ishte i pranishëm kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha edhe pse bashkëshortja e tij qëndroi bashkë me krerët e tjerë demokratë në mesin e protestës. Nuk pati as gjuajtje me gurë edhe pse për një moment në turmë u krijua ideja se mbi punonjësit e Policisë u hodh benzinë, çka nuk ishte e vërtetë.
Më tej, për të dhënë idenë e një proteste paqësore, deputetët e opozitës u ulën këmbëkryq në mes të protestuesve, një lëvizje e pamenduar nga ana e opozitës.
E ulur këmbëkryq bashkë me protestuesit, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i bëri një thirrje ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj të ndihmojë policët. Sipas saj, ministri vetë duhet të kujdeset që t’ju sjellë ujë, pasi atyre po ju thahet buza nga vapa.

Ish-deputetët me protestuesit në shesh

“Të shkojë policia t’ju marrë para deputetëve, t’ju sjellë ujë se po ju thahet buza policëve. Ne ua japim po ata kanë frikë se pushohen nga puna. Kush guxon të marrë ujë nga opozita, e heqin direkt. I bëj thirrje Sandër Lleshajt t’ju sjellë ujë…është një vapë e madhe. Ata janë aq të sikletosur sa nuk e marrin ujin tonë se i pushojnë nga puna”, tha ndër të tjera ajo.
Ndërsa, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi u shpreh i bindur se policia nëse nuk do ishte në uniformë do t’i bashkohej demonstratës. I pyetur nëse u trembet masave të marra nga policia gjatë protestës, Bardhi u shpreh i bindur se ‘Sandër kimiku’ nuk i tremb dot qytetarët.

Pasi kanë qëndruar për më shumë se 3 orë para godinës së Parlamentit, turma me thirrjen e Flamur Nokës është zhvendosur drejt godinës së Policisë së Tiranës. Protestuesit janë drejtuar te Drejtoria e Policisë së Tiranës, pasi sipas tyre janë arrestuar disa protestues, ndërsa ata po shkonin për të kërkuar lirimin e tyre.

Kryetarja e LSI-së, në Komisariat për të takuaar protestuesit e arrestuar

Ish-deputetët e opozitës, Kryemadhi, Noka dhe Bradhi, janë futur në ambientet e brendshme të Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të negociuar me drejtuesit e këtij institucioni për lirimin e protestuesve të shoqëruar pas protestës së fundit të opozitës.

Ndërkohë që opozita protestonte para Drejtorisë së Policisë, një lëvizje kjo surprizë nga ana e opozitës, ka reaguar ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke thënë se këto lloj protestash janë të verbra.
“Protestat e verbra që godasin deputetë, institucione dhe policë, sjellin vetëm një rezultat. Ato pengojnë shumë policë që të merren me detyrën e tyre kryesore, që është lufta kundër krimit”, shprehet ministri Lleshaj në “Twitter”.

https://twitter.com/SanderLleshaj/status/1108717872682098690

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, pasi ka dalë nga zyrat e Komisariatit është shprehur se do të presin derisa të lirohen 14 të rinjtë e shoqëruar për verifikim.
“Jemi këtu për të treguar që çdo ditë dhe më shumë se frika dhe paniku që e ka përfshirë Edi Ramën dhe grupin e tij e bën të bëjë gabime njëri pas tjetrit. Ka shoqëruar 14 djem, nuk kanë bërë asgjë, sot ka qenë protestë paqësore, ka pasur dashuri dhe respekt ndaj policisë. Paniku dhe frika e makthet e Ramës detyron segmentet e policisë për të arrestuar fëmijët e shqiptarëve. Të dalin djemtë sa më shpejt. Jemi këtu dhe nuk do ndalojmë asnjë sekondë, deri sa të dalin, sepse nuk kanë bërë asgjë. I bëj thirrje policisë të arrestojnë Gjiknurin, çdo njeri që grabit shqiptarët, jo fëmijët e shqiptarëve”, u shpreh Kryemadhi pasi doli nga Komisariati.
Dhe më tej, turma është zhvendosur në drejtim të selisë së Partisë Demokratike, ku është bërë edhe mbyllja e protestës së sotme.
“Beteja jonë nuk ka mbaruar. Jemi nisur për një rrugë që nuk ka fund tjetër veç fitores. Nuk ka asnjë forcë që të mbajë qytetarët për të mos protestuar për të drejtat e tyre. Nuk do të ketë asnjë ditë stabilitet për këtë qeveri të krimit derisa të kthehet demokracia në Shqipëri”, tha Edi Paloka, nënkryetari i PD, duke iu drejtuar qytetarëve.

Balla: Basha orkestrues i dhunës opozitare
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi në foltoren e Kuvendit se kurrë më parë nuk janë goditur deputetë e policë me urdhra të krerëve të partisë.
“Do të doja nga kjo foltore t’i drejtohesha personalisht Bashës si nxitësi dhe orkestruesi kryesor i dhunës opozitare sot në Kuvend. Kushdo e mbështet, thjesht vetëm se largon vendin nga Europa dhe nxit destabilitetin në vend edhe sot teksa deputetë e policë mund të goditen nga urdhrat qorre të Bashës. Shqiptarët nuk kanë parë kurrë lider të opozitës që të bëjë thirrje për të goditur forcat e rendit, institucionet, që me urdhra të goditen deputete, asnjë herë më parë nuk janë goditur deputete me urdhra të kryetarëve të partive. Ajo që dua të ndaj me ju sot, Basha po sillet si huligan në ndeshje futbolli, dhe djegia e mandatit po jua them nuk është fare humbje për demokracinë pasi politikanë të papërgjegjshëm si puna e Bashës as nuk e meritojnë besimin e shqiptarëve dhe as të jenë në Kuvend”, u shpreh Balla.
Balla ka folur sot sërish për dialog me opozitën, por kësaj here iu referua opozitarëve të rinj në sallë. Ai madje i ftoi në një tryezë për Kodin Zgjedhor.
“Të dialogojmë me deputetët e rinj të opozitës. I ftoj në një tryezë të rëndësishme për sa i përket Kodit Zgjedhor. Duhet ta miratojmë Kodin Zgjedhor. Dialog me PD e LSI do të doja të ftoja së shpejti në tryezë të rëndësishme sa i përket Kodit Zgjedhor”, u shpreh Balla.

Protesta më e fundit e opozitës ishte ajo e 16 marsit ku protestuesit u sollën rreth e rrotull Kryeministrisë si simbolikë e rrethimit të godinës së qeverisë dhe më pas në mënyrë të befasishme u zhvendosën drejt Parlamentit.
Ndërkohë, dje presidenti Ilir Meta bëri deklaratën e fortë duke thënë se ishte gati të hiqte dorë nga mandati i presidentit për të zgjidhur krizën aktuale politike si dhe të mos lejonte instalimin e një junte ushtarake.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë