Politike

Lefter Koka: Po na përdor Saliu. Reagon dhëndëri i Berishës

“Grupi Parlamentar i LSI vlerëson se djegja e mandateve është rruga e vetme për të rikthyer shtetin e së drejtës dhe legjitimitetin e qeverisjes përmes votës së lire. Prandaj, Grupi Parlamentar, vendosi djegien e mandateve dhe mandatoi Kryetaren e LSI për të ndërmarrë të gjithë hapat statutore dhe politike në përmbushje të këtij vendimi”. Kjo do të ishte deklarata e shpallur nga ana e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, duke iu bashkuar nismën së PD-së për këtë lëvizje të re politike për dorëzimin e mandateve.

Por vendimi për dorëzimin e mandateve të deputetëve duket se nuk ka pasur një unanimitet të plotë, madje pritet të shoqërohet me një refuzim brenda radhëve të LSI-së.
Deputeti i LSI-së për qarkun e Durrësit, Lefter Koka është emri parë që ka dalë në skenë se do të refuzojë dorëzimin e mandatit të deputetit.


Lajmi për refuzimin e dorëzimit të mandatit doli fillimisht në një media lokale të qytetit të Durrësit, ku Koka kishte deklaruar se nuk kishte motiv që të dorëzonte mandatin e deputetit. Gazeta "Si" u mundua që të kontaktonte me deputetin e qarkut të Durrësit, por Koka nuk pati një reagim në lidhje me faktin nëse do të dorëzonte mandatin e deputetit ose jo.

Faqja e parë e gazetës Bulevard, qe del ne Durrës


Madje Koka nuk ishte dje i pranishëm edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LSI ku u mor ky vendim. Por më vonë gjatë ditës, Lefter Koka ka postuar këtë reagim në profilin e tij në facebook:

"Opozita dje mori vendimin për të djegur mandatet e deputetit. Vendimi im i palëkundur është se unë nuk do të djeg mandatin e deputetit, që mijëra durrsakë më kanë besuar. I zgjedhur prej vullnetit të bashkëqytetarëve të mi, për të ushtruar pushtetin legjislativ dhe të jem përfaqësuesi i tyre. Parimet e mia në 2 dekada te jetës sime politike janë udhëhequr vetëm nga interesi i qytetarëve. Janë ata që me kanë treguar gjithmonë cila është e drejta dhe e vërteta, janë ata bashkëudhëtarët dhe udhërrëfyesit e mi. Ky nuk është një vendim thjesht i Lëvizjes Socialiste për Integrim por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit. Dhe nëse erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI , a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe une i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë. Mandati im është besimi i mijëra qytetarëve. Është mandati i qytetarisë, kulturës dhe fisnikërisë durrsake, që as në ditët më të vështira të këtij qyteti nuk theu kurrë një xham. Qytetarët durrsakë kanë treguar në çdo kohë, se ata janë shembulli më i mirë i shoqërisë shqiptare. Mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar", shkruan Koka në reagimin e tij.

Lajmi i qarkulluar për refuzimin e djegies së mandatit ka sjellë edhe reagimet e para të përfaqësuesve të Partisë Demokratike.
Deklarata e parë ka ardhur nga dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, anëtar i Kryesisë së PD-së. Ai ka sulmuar ashpër Kokën duke u shprehur se refuzimi i dorëzimit të mandatit lidhet me tenderat që janë kryer kur ai ishte ministër i Mjedisit.
“Shembulli tipik i qeverisjes: Blerja ose shantazhi. Këtij hallexhiut i deklarova 14 muaj më parë “Pendohu, bëhu dëshmitar i drejtësisë” lidhur me aferën kriminale të inceneratorëve ku Rama-Ahmetaj po përlajnë 178 milionë euro. Por Teri ka firmos për këtë aferë dhe tani do hedhe vallen sipas Ramës. 14 muaj që qeveria i fshihet debatit për inceneratorët! Çfarë halli i madh i ka zanë?”, shkruan Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Berisha.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10156853348578190&set=a.10151604567398190&type=3&theater

Deputeti i LSI-së, Lefter Koka edhe më parë ka mbajtur qëndrime kundër idesë së bojkotit të Parlamentit. Ai së bashku me deputetin Vangjel Tavo theu urdhrin e LSI-së për të mos marrë pjesë në seancën e Kuvendit më 20 shtator të 2018, pikërisht ku ishte parashikuar që të votohej edhe për ligjin për Teatrin e ri.
Një vendim i tyre u mor pikërisht kur opozita e bashkuar kishte parashikuar që të zhvillonte një takim në qytetin e Vlorës.

Dy deputetët e LSI, Koka dhe Tavo duke hyrë në Parlament


LSI atë kohë e argumentonte me faktin se prania e dy deputetëve të tyre lidhej me faktin e mos djegies së mandatit si deputet. Koka e Tavo morën pjesë në seancën parlamentare edhe pse mandati i tyre skadonte në tetor të 2018.
Prej kohësh flitet për një largim të deputetëve të LSI-së. Kështu përflitet emri i Tavos, i cili së bashku me Kokën kanë mbajtur qëndrime kundër vendimeve të grupit të LSI-së, duke votuar projektligje edhe pse opozita kishte bojkotuar seancën e Parlamentit.
Ndërkohë që kohët e fundit qeveria propozoi si anëtare të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, Suela Popën, bashkëshorten e deputetit të LSI-së, Vangjel Tavos. Ndërkaq një ditë më parë, deputeti tjeter i LSI, Edmond Haxhinasto, ishte i vetmi nga opozita që morri pjesë në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë ku u debatua për projektligjin e PPP-ve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë