Nga Aleksandër Marku- As për Athinën dhe as për partnerët e saj nuk ishte surprizë vendimi i Moskës për dëbimin e dy diplomatëve grekë dhe ndalimit të hyrjes në Rusi të dy të tjerëve. Kremlini u përgjigj më të njëjtën monedhë, ashtu siç kishte bërë Athina një muaj më parë, kur kishte marrë të njëjtat masa ndaj diplomatëve rusë, me akuzën se ishin përpjekur të minonin marrëveshjen e Greqisë me IRJM-së.
Hakmarrja ruse,thuajse e paprecedent e një lloji të tillë mes dy shteteve që ruajnë lidhje miqësie shekullore, ju komunikua ambasadorit grek në Moskë, Andreas Friganas. Përveç dy diplomatëve të ambasadës ju ndalua hyrja në Rusi kreut të zyrës politike të ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias, Georgios Sakelariou.
Por ndërsa një pjesë e mirë e shtypit dhe e analistëve e konsideruan këtë akt të Moskës tepër të ashpër, madje e cilësuan si një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kreut të diplomacisë greke për gjuhën me të cilën ka komentuar lidhjet me Moskën dhe veprimet e saj, burime pranë dikasterit të tij thonë të kundërtën. Qarqet diplomatike greke,e quajnë vendimin rus më tepër si një formë reagimi për të krijuar përshtypje, se sa një sërë kundërmasash të rrepta,pasi sipas tyre bëhet fjalë për nënpunës diplomatikë të niveleve të ulta.
Madje edhe për sa i përket drejtorit të zyrës politike të ministrit Kotzias, ato theksojnë se bëhet fjalë për një figurë politike dhe jo diplomatike. Të njëjtat burime karakterizojnë lëvizjen e palës ruse si «asimetrike»,pasi sipas tyre qeveria greke kishte informacion për veprimtarinë e diplomatëve rusë që u dëbuan, ndërsa pala ruse nuk ka. Një gjë veçse është e sigurtë, që Athina analizon me hollësi dhe planifikon me kujdes se si të reagojë ndaj Moskës dhe kjo për shumë arsye.
Krisje e vërtetë apo vetëm në dukje
Askush deri dje nuk mund të thoshte me siguri se marrëdhëniet Athinë-Moskë kishin shkuar në pikën e tyre më të keqe. Mund të ishin në dukje tepër kritike,por po të hedhim një sy tek partnerët europianë, edhe ata prej disa javësh kanë dëbuar diplomatë rusë prej çështjes Skripal,duke marrë të njëjtën përgjigje edhe nga Moska.
Dhe si për të plotësuar pazëllin, kanë mbërritur orët e fundit edhe sanksionet e reja amerikane kundër Moskës ,përsëri për çështjen e helmimit të ish agjentit rus Sergei Skripal në Britani, që kanë sjellë rënien rekord të monedhës ruse në këto dy vjet kundrejt dollarit.
Por këtu bëhet fjalë për diçka më të madhe,për Ballkanin dhe dëshirën e vjetër të Kremlinit për të pasur influencën e vet, një dëshirë që ka ngjallur shpesherë konflikte me Uashingtonin. Për këtë arsye edhe Moska ka deklaruar se pas vendimit që morri Athina për dëbimin e diplomatëve të saj me akuzën e ndërhyrjes në çështjet e brendshme të Greqisë ,sic ishte marrëveshja për emrin e IRJM-së ,qëndrojnë SHBA-s me ambasadorin e tyre në Athinë Geoffrey R. Pyatt.
Në Athinë ka edhe shumë prej rusofilëve grekë që pretendojnë se Moska ka arritur në atë pikë që të konsiderojë thuajse një bashkëbisedues armik, ministrin Kotzias duke e akuzuar se ka shkatërruar balancën tradicionale që Athina mbante deri së fundmi mes Perëndimit dhe Rusisë.
Madje pas akuzave për implikim rus me plane politike për destabilizim të Greqisë dhe protesta për emrin e IRJM-së ,Kremlini duket se sheh një ndryshim në vijën politike të qeverisë Tsipra dhe tregon si fajtor kryesor për këtë z.Kotzias, të cilin e quan një udhërëfyes të gabuar për kreun e qeverisë greke që e çon atë në një përplasje me një nga vendet mike të Greqisë.
Vërtet që dimri rus në mes të kësaj vere të zjarrtë greke u vonua,por në fund të fundit gjithnjë Kremlini dhe personalisht Vladimir Putini veprojnë ngadalë dhe në mënyrë të matur,pa humbur dinamikën e veprimit .
Moska tregon muskujt
Dinamizmi rus nuk kishte të bënte vetëm me komunikimin e ministrisë së Jashtme për dëbimine diplomatëve. Megjithëse me vonesë,ky dikaster me anë të një deklarate tepër të ashpër ka përgënjeshtruar një artikull të një gazete greke që duke ju referuar burimeve anonime nga shërbimet sekrete greke, aludonte se grupe keqbërësish të financuara nga Moska,po përgatisin incidente të dhunshme gjatë Panairit Ndërkombëtar të Selanikut në shtator.
«Bëhet fjalë për një gazetari idiote dhe agresive» - thuhet në deklaratën ruse që u bënte thirrje gazetarëve se «këto artikuj hedhin baltë mbi gjërat e mira që lidhin dy vendet dhe marrëdhëniet e tyre».
Ndërkohë edhe një ngjarje e fundit ka shkaktuar tensione të reja midis Athinës dhe Moskës. Këtë herë, çështja ka të bëjë me refuzimin e lëshimit të vizave për disa klerikë rusë nga ana e konsullit grek në ambasadën greke në kryeqytetin rus. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova, e ka konsideruar çështjen të papranueshme dhe ka kërkuar sqarime nga pala greke.
Si do të veprojë Athina në rrethanat e reja
Pa dyshim që edhe në këto rrethana, udhëheqja greke e di mirë se nuk duhet të humbë përfundimisht mbështetjen e Rusisë së madhe dhe të fuqishme. I duhet ajo për marrëdhëniet tregëtare,ato ekonomike, por më shumë për mbështetjen e saj strategjike.
Megjithëse është tashmë mjaft i qartë suporti i bollshëm që po i jep qeveria Trump Ballkanit, (kjo duket tani edhe në Shqipëri), Athina e do Moskën sidomos për të pasur një aleat më shumë përballë Turqisë. Gjithnjë Kremlini ka thënë fjalën e fundit në favor të Athinës në konfliktet e shumta me Ankaranë, por me diplomacinë e duhur pa humbur edhe ai,lidhjet me Turqinë.
Ajo që pritet është fjala e kryeministrit Tsipras,i cili në këto momente ka disa fronte të hapura,brenda dhe jashtë vendit. Analistë të marrëdhënieve diplomatike theksojnë se megjithëse pala ruse e quan të paparashikueshëm sjelljen e kryediplomatit grek Kotzias, Aleksis Tsipras nuk do që në prag të një reformatimi të qeverisë ta nxjerrë atë jashtë kabinetit.
Kjo pasi Nikos Kotzias përfundoi marrëveshjen me Shkupin dhe është në prag të mbylljes edhe të marrëveshjes me Tiranën, suksese diplomatike që nuk i ka arritur asnjë paraardhës i tij. Gjithashtu Tsipras, tashmë i pjekur politikisht ,siç e konsiderojnë në Lindje dhe në Perëndim , do përpiqet të ulë gjakrat me Moskën. Janë shumë një milion turistë rusë që vizitojnë Greqinë. Janë gjithashtu shumë më tepër mijëra tonë produkte bujqësore greke që eksportohen në tregjet ruse çdo vit. Dhe gjithashtu rolin ndërmjetësues që me kaq sukses ka luajtur Greqia mes Rusisë dhe BE-së, Tsipras nuk do të donte ta humbte kurrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.