Ka trajnerë që duhen pranuar ashtu siç janë, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Antonio Konte është prototipi i kësaj kategorie. Ai është serioz dhe kuron detajet, por ka një marrëdhënie shumë të vështirë me punëdhënësin e tij. Dhe pas një sezoni të komplikuar, Interi ndodhet në një udhëkryq, trajneri i ka sulmuar hapur drejtuesit.
Nëse shohim numrat, sezoni i Interit është pozitiv, vendi i dytë dhe vetëm 1 pikë pas Juventusit, 81 gola të shënuar dhe 4 humbje. Janë shifra impresionuese, megjithatë sërish ka probleme. Mungesa e gjatë në Milano e pronarëve kinezë e ka bezdisur Konten, i cili është ndalur me polemika gjatë konferencës për shtyp. Fjalët e tij sigurisht që nuk u kanë pëlqyer drejtuesve të Interit dhe Marota do të ketë një takim urgjent me trajnerin.
Do të ketë një ballafaqim mes palëve pas shfryrjes së Kontes, por shkarkimi i tij në këtë moment do të ishte një çmenduri. Konte ka një pagë vjetore prej rreth 11 milionë eurosh. Një vendim drastik nga Suning do të thotë se mund të digjen 50 milionë euro, ndërkohë që edhe trajneri i ri që do të zëvendësonte Konten, do të përfitonte një shifër të përafërt me të. Ka edhe një hipotezë për një “divorc” konsensual, por gjithçka mbetet të shihet orët në vazhdim.
Nëse arrihet në një pikë pa kthim, pra me largimin e trajnerit Konte, atëherë Zhang duhet të gjejë një pasues të denjë dhe zërat e parë që kanë nisur të qarkullojnë përmendin emrin e Masimiliano Alegrit, i cili në 2014-ën mori pikërisht vendin e Kontes te Juventusi. Gjatë vitit të fundit, kur ka qenë pushim, Alegrië shtë kontaktuar nga klube të ndryshme, por nuk ka pranuar asnjë ofertë. Ai ka raporte të shkëlqyera me Marotën dhe është një alternativë vërtet e besueshme, nëse Konte e mbyll këtu.
Burimi: Sportmediaset/ Përgatiti: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.