Politike

Tenderi për tunelin e Llogarasë, PD çon në SPAK Belinda Ballukun

Partia Demokratike ka lajmëruar të martën se do të depozitojë kallëzim penal për ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku.  

“Ministria ka shpallur fitues të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një bashkim kompanish turke, e cili ka ofruar rreth 12 milionë dollarë më shumë se oferta më e ulët.

Pra, në garën midis “INTEKAR YAPI” dhe “ASL”që kërkoi ta ndërtojë tunelin për rreth 17 miliardë lekë ose 170 milion dollarë, dhe një tjetër bashkim operatorësh, përbërë nga kompania egjiptiane “Concord Engineering” dhe dy kompani shqiptare,  që kanë ofruar 12 milionë dollarë më pak për të njëjtën punë, në total 158 milion dollarë, ministria e drejtuar nga Belinda Balluku, zgjodhi ofertën më të shtrenjtë për xhepat e qytetarëve.

Pikërisht në një kohë kur qeveria flet për krizë, taksat e shqiptarëve shpërdorohen”, tha deputeti i PD-së, Helidon Bushati.

Më tej ai shtoi:

“Partia Demokratike nuk do të mjaftohet vetëm me denoncimin e këtij skandali, por do të dorëzojë kallëzim penal në SPAK për drejtuesen e Ministrisë së Infrastrukturës, Belinda Balluku”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë