Ka ndodhur

Tenderi i uniformave të policisë, 9 të akuzuarit lihen në burg

Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka pranuar kërkesën e SPAK-ut, duke lënë në fuqi masat e caktuara ndaj 9 zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, tetë në burg dhe një arrest shtëpie.

Nëntë zyrtarët e arrestuar për abuzime me tenderin 2.8 miliardë lekë të uniformave të Policisë së Shtetit, akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.

LEXO EDHE:
- Abuzuan me tenderin e uniformave, rolet dhe akuzat ndaj zyrtarëve të MB
- Tenderat, joshja e madhe për të fituar. Si u vodh e u la zhveshur policia shqiptare ndër vite
- Uniformat, si u zbulua një vit më parë afera miliona euro nga opozita e re

Gjykata e Posaçme ka dhënë arrest me burg për Edlira Naqellarin, drejtore e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Klevis Hasani, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzati dhe Gëzim Mingaj.

Ndërsa në “arrest shtëpie” është lënë Anisa Bogdani, e cila ka një fëmijë të mitur. Të pandehurit në gjykatë, janë shprehur se nuk kanë shkelur ligjin, por se kanë zbatuar procedurat në lidhje me tenderin.

Abuzimet në tenderin e uniformave të Ministrisë së Brendshme janë konstatuar në raport me cilësinë, sasinë dhe çmimin e uniformave.

Si pjesë e hetimeve për zbulimin e kësaj afere korruptive, rezulton se në ndihmë të SPAK-ut janë dy persona të cilët pranuan të bashkëpunojnë me drejtësinë.

Një ndër dëshmitë është dhe për bashkimin e dy tenderave, atë të prodhimit dhe shpërndarjes së këpucëve, me atë të veshjeve, ç’ka e ka kufizuar mundësinë për të marrë pjesë më shumë se një kompani në garë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë