Rend dhe Ligj

Tenderi i Unazës, ARRSH çon në Prokurori kompaninë

Një ditë pasi ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri deklaroi se do t’i drejtohej Prokurorisë pas skandalit të kompanisë “DH Albania”, ARRSH e ka kallëzuar penalisht kompaninë në Prokurorinë e Tiranës.

Sipas shkresës së drejtuar organit të akuzës, “DH Albania” akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim.

Mediat raportojnë gjithashtu se Autoriteti Rrugor Shqiptar, i ka nisur edhe një shkresë Agjencisë së Prokurorimit Publik, për të përjashtuar nga tenderat bashkimin e kompanive “BibaX” dhe “DH Albania”, dhe pritet të shpallë së shpejti rihapjen e tenderit për lotin e parë të Unazës së Madhe.

Lajmi vjen pasi në Shqipëri janë shtuar pyetjet rreth firmës së regjistruar në Delaware të SHBA, “Dunwell Haberman”, e cila përmes falsifikimit të dokumenteve të regjistrimit kompani kishte arritur të siguronte dy kontrata me vlerë prej rreth 30 milionë eurosh nga qeveria shqiptare.

Firma kryente biznes me emrin” DH Albania” dhe në regjistrat kombëtarë si përfaqësues i saj figuron 26-vjeçari Avdjol Dobi.

Kur këto fakte u bënë publike, lindën dyshimet se si një firmë pothuajse anonime mundi që me kaq lehtësi dhe falsifikime, të siguronte kontrata të kësaj natyre. Për të fituar një kontratë të tillë, firma fituese duhet të depozitonte një shumë prej 10 për qind të vlerës së investimit, ndërsa zoti Dobi nuk dihet të ketë pasur biznese për të bërë këtë depozitë.

Sipas “Zërit të Amerikës” ka dyshime të forta se pas kompanisë DH Albania fshihet biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj. Para një muaji, përfaqësuesi i firmës e ka transferuar adresën e tij në kullën “ABA Business Center”, në pronësi të zotit Ulaj. Zëri i Amerikës ka mësuar se zoti Dobi, ka lidhje familjare me biznesmenin Ulaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë