Politike

“Tenderat po i marrin trafikantët”, SPAK thërret për dëshmi Petro Koçin

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (SPAK) ka thirrur për të dëshmuar deputetin e zgjedhur të Partisë Socialiste, Petro Koçi.

Aktualisht, kryetar i emëruar i PS-së për Fierin, Koçi është thirrur nga SPAK për të dëshmuar ditën e hënë, (26 korrik) ku do të sqarojë akuzat e artikuluara publikisht prej tij  për përfshirje të njerëzve të drogës në tenderat publike.

Petro Koçi është pyetur disa herë për emra konkret pas postimit të tij në Facebook por në asnjë prej prononcimeve publike, ai nuk ka artikuluar ndonjë emër, duke u përgjigjur se kjo çështje i takon organeve të drejtësisë.

“Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat. Bota e krimit dhe të korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike. Protagonistë të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtarëve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrentëve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke lare paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, ishte postimi i Petro Koçit që vuri në lëvizje SPAK-un


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë