Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri për “Për prokurimin publik” duke ndryshuar ligjin e miratuar në vitin 2006. Nisma më e fundit e hedhur për konsultim parashikon sërish që Agjencia e Prokurimit Publik të jetë në varësi të Kryeministrit.
Në këtë projektligj është parashikuar që të përjashtohen operatorët ekonomikë që janë tërhequr nga gara për arsye të ndryshme. Për këtë është propozuar që ky përjashtim nga tenderat e ardhshëm të jetë nga një periudhë nga 3 muaj deri në 3 vjet, nëse është tërhequr mbi pesë herë nga nënshkrimi i kontratës në procedura prokurimi të ndryshme, të zhvilluara nga një ose disa autoritete të ndryshme kontraktore, brenda një viti kalendarik. "Edhe ky parashikim ka si qëllim të rrisë përgjegjshmërinë e operatorëve ekonomikë në momentin kur vendosin të ofertojnë në procedura prokurimi për të përfituar fonde publike", thuhet në relacionin shoqërues të kësaj nismeje.
Në këtë draft parashikohet që në procedura e prokurimit të mos skualifikohen firmat që kanë detyrime tatimore që nuk kanë paguar detyrimet e papaguara.
"Operatori ekonomik nuk do të skualifikohet nga procedura e prokurimit, edhe në rastet kur: ka detyrime ndaj organeve tatimore, për të cilat ka lidhur një marrëveshje detyruese me qëllim pagimin e taksave ose kontributeve të sigurimeve shoqërore që duhet të paguajë, duke përfshirë, aty ku është e zbatueshme, çdo kamat vonesë ose gjobë; nuk ka paguar shuma të vogla tatimesh ose kontributesh të sigurimeve shoqërore deri në vlerën prej 10.000 lekë; është informuar për shumën e saktë që duhet të paguajë pas shkeljes së detyrimit të tij për të paguar taksat ose kontributet e sigurimeve shoqërore, në një kohë të tillë kur ai nuk ka pasur mundësi të marrë masat e nevojshme për shlyerjen e tyre, përpara skadimit të afatit për dorëzimin e kërkesës për pjesëmarrje/ofertës", thuhet në relacionin e këtij projektligji.
Gjithashtu nuk do të përjashtohen as ato firma që kanë detyrime ndaj organeve tatimore, për të cilat është në proces gjyqësor dhe nuk ka një vendim gjyqësor ose administrativ të formës së prerë, sipas legjislacionit në fuqi.
Në nismë është parashikuar që të ankesat që kanë firmat për procedurat e prokurorimit pas apelimit në shkallët e Komisionit Prokuririmit Publik të apelohen direkt në Gjykatën Administrative, duke e cilësuar si një praktikë që do të shmangë më tej procedurat burokratike.
Në një nen të veçantë është parashikuar procedura e kryejes së hetimit administrative, ku përveç kompetencave ekzistuese është parashikuar edhe verifikimi i zbatimit të ligjshmërisë së procedurave të anuluara, si dhe monitorimi zbatimit të kontratës së nënshkruar nga autoriteti apo enti kontraktor, nga momenti i nënshkrimit të kontratës, por jo më vonë se 3 vjet nga përfundimi i zbatimit të saj.
Tendera jo më fitues oferta më e ulët, ndarja në lote
Në relacionin e siguruara nga "Gazeta Si" theksohet në shpalljen e fituesve nuk do të zbatohet më logjika e ofertës më të ulët, por ajo më të mirë ekonomike. "Çmimi më i ulët, ndonëse kursen kohë në vendmmarrje, shpeshherë nuk garanton përftimin e një malli, shërbimi apo pune cilësore. Mirëpo, nga ana tjetër dispozitat aktuale sa i takon kriterit të ofertës ekonomikisht të favorshme e cila ofron një raport më të balancuar çmim/cilësi, janë jo të plota", thuhet në relacionin e qeverisë.
Në nenin 39 parashikohet, që Autoriteti parashikohet një kontratë në formën e loteve të veçanta, duke përcaktuar madhësinë dhe objektin e këtyre loteve. Kur zbatimi i kritereve për shpalljen e kontratës fituese do të bënte që një ofertues të shpallej fitues i më shumë loteve se sa numri maksimal, autoriteti ose enti kontraktor përcakton në dokumentet e tenderit kriteret objektive dhe jodiskriminuese ose rregullat që synojnë të zbatojnë për të përcaktuar lotet që do të jepen. Kur të njëjtit ofertues mund t'i jepet më shumë se një lot, autoriteti ose enti kontraktor mund të japë kontrata që kombinojnë disa ose të gjitha lotet, pasi të kenë specifikuar në njoftimin e kontratës ose në ftesën për shprehje interesi, mundësinë për ta bërë këtë, dhe lotet ose grupet e loteve që mund të kombinohen.
Llojet e procedurave të prokurimit publik janë: procedurë e hapur; procedurë e kufizuar; procedurë konkuruese me negocim, e cila përdoret vetëm në rastin e kontratave të sektorit klasik; partneritet për inovacion; dialogu konkurrues; procedurë me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit, e cila përdoret vetëm në rastin e kontratave sektorale; procedurë me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës; procedurë e hapur e thjeshtuar dhe shërbim konsulence.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.