Lajme

Video/Temperatura të larta dhe erëra të forta, në Kukës riaktivizohen zjarret, shuhen në Karaburun

Mëngjesin e të mërkurës, në Kukës situata e zjarreve është agravuar sërish.  

Vatrat më problematike vijojnë të mbeten Laku i Thive dhe Maja e Rrunës, ku për shkak të erës së fortë, temperaturave të larta dhe terrenit të vështirë për të ndërhyrë, flakët rrezikojnë që të përhapen edhe më shumë.

Në Majën e Rrunës janë angazhuar 10 forca zjarrfikëse, 6 punonjës të pyjores, 5 punonjës të Njësia Administrative Malzi, 20 forca nga komuniteti I zonës dhe forcat e DMR-së Kukës.

Operacionet po përqendrohen në Majën e Rrunës dhe Qafën e Mollave që kufizojnë Malziun me Mirditën, ku prej ditësh po digjet një sipërfaqe e madhe pyjore. Ndërsa vatra në Lakun e Thive, e favorizuar nga era pritet t’i afrohet Pukës.

Ndërkohë ka filluar ndërhyrja edhe nga ajri me helikopterë

Në bashkinë Tropojë dy vatra zjarri janë aktive një në pyje të fshatit Betoshë, Lekbibaj dhe vatra tjetër afër fshatit Dragobi, Margegaj, ku janë angazhuar 6 punonjës të pyjores ,5 punonjës të AZM, 4 punonjës të Nja Margegaj dhe 10 forca nga komuniteti i zonës për shuarjen e flakëve.

Ndërkohë, në Karaburun janë shuar të gjitha vatrat e zjarrit.

“Më në fund pas 2 javësh mundi dhe sakrificash, nuk ka më vatra zjarri në Karaburun.

Qindra orë betejash, qindra trupa të Forcave të Armatosura e forcave zjarrfikëse, specialistë të zonave të mbrojtura dhe emergjencave civile kanë punuar pa u lodhur për të shpëtuar Parkun Kombëtar të Llogarasë”, komentoi Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë