Politike

Teliti: Thesari i shtetit të ndërpresë pagesat për inceneratorin fantazmë të Tiranës  

Nënkryetari i Këshillit bashkiak, Dorian Teliti, ka kërkuar përmes një deklarate për mediat që të ndërpriten pagesat për inceneratorin e Tiranës, me argumentin se ai nuk ekziston.

“Janë plot 103 milionë euro të paguara për një shërbim që nuk është kryer, atë të incenerimit të mbetjeve.

Incenerimi, apo ndryshe djegia e plehrave nuk është kryer, thjesht për faktin se një proces i tillë nuk kryhet nga koncesionari.

Ama paratë janë paguar sikur ky shërbim jo vetëm ekziston, por madje nuk është ndërprerë as edhe një ditë.

Ligji Organik i Buxhetit e ka të shprehur qartë se për të kryer një pagesë thesari duhet që kërkesa të jetë e shoqëruar nga dokumentacioni që vërteton kryerjen e shërbimit përkatës.

Nëse inecenerim nuk ka, atëherë si është e mundur që të vërtetohet në dokumente një shërbim i tillë, përveç rastit kur dokumentet falsifikohen, apo zyrtarët e lartë të institucioneve firmosin në shkelje të ligjit për një punë të pakryer?

Si është e mundur që pagesat janë kryer nga Thesari i Shtetit, ndonëse të gjithë, i madh e i vogël, e di që incenerim nuk ka?

Si është e mundur që paska ende supervizore kaq kurajoze që sfidojnë kaq hapur ligjin dhe organet e sistemit gjyqësor?

Si është e mundur që paska ende zyrtare të Bashkisë Tiranë dhe Ministrise së Infrastrukturë të cilët e kanë për detyrë monitorimin e zbatimit të kontratave koncesionare, të cilët vazhdojnë muaj pas muaji, prej vitesh tashmë, të firmosin fatura për miliona e miliona euro për diçka që nuk ekziston?”, tha Teliti

Më tej ai kërkoi: “I bëjmë thirrje Ministrisë së Financave që të ndërpriten menjëherë pagesat nga Thesari i Shtetit për inceneratorët fantazëm.

I bëjmë thirrje SPAK-ut që të thellojë hetimin dhe gjurmimin e miliona eurove të paguara, me qëllim që të rikthehen në arkën e shtetit dhe në xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Të jesh në kërkim dhe drejtësia mos të gjejë dot, ndërkohë që miliona euro e gjejnë lehtë rrugën për te ti, përbën një shaka të trashë me publikun”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë