Vende dhe Udhetime

Tel Aviv shpallet qyteti më i shtrenjtë në botë për të jetuar

Tel Aviv është shpallur si qyteti më i shtrenjtë në botë për të jetuar, pas rritjes së inflacionit dhe problemeve me zinxhirin e furnizimit.

Qyteti izraelit doli në krye për herë të parë në një sondazh nga Economist Intelligence Unit (EIU), duke u ngjitur nga vendi i pestë vitin e kaluar dhe duke e çuar Parisin në vendin e dytë së bashku me Singaporin.

Damasku, në Sirinë e shkatërruar nga lufta, ruajti vendin e tij si më i liri në botë.

Anketa krahason kostot në dollarë për mallra dhe shërbime në 173 qytete.

EIU tha se të dhënat e mbledhura në gusht dhe shtator treguan se mesatarisht çmimet u rritën 3.5% në terma të monedhës vendase, norma më e shpejtë e inflacionit e regjistruar gjatë pesë viteve të fundit.

Transporti ka shënuar rritjet më të mëdha të çmimeve, ku kostoja e një litri benzinë ​​është rritur mesatarisht me 21% në qytetet e studiuara.

Ngjitja e Tel Avivit në krye të renditjes së kostos botërore të jetesës të EIU reflektoi kryesisht rritjen e vlerës së monedhës izraelite, shekelit, kundrejt dollarit. Çmimet lokale të rreth 10% të mallrave gjithashtu u rritën ndjeshëm, veçanërisht për ushqimet.

Sondazhi zbuloi se Tel Avivi ishte qyteti i dytë më i shtrenjtë për alkool dhe transport, i pesti për sendet e kujdesit personal dhe i gjashti për rekreacion.

Kryetari i bashkisë së Tel Avivit, Ron Huldai, paralajmëroi në një intervistë me gazetën Haaretz se rritja e çmimeve të pronave, që nuk përfshihen në llogaritjet e EIU, do të thotë se qyteti po shkonte drejt një "shpërthimi".

"Tel Avivi do të bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë, ashtu si i gjithë vendi po bëhet më i shtrenjtë", tha ai.

"Problemi themelor është se në Izrael nuk ka një qendër alternative metropolitane. Në Shtetet e Bashkuara, ka Nju Jork, Çikago, Miami e kështu me radhë. Në Britani, ka Londrën e Madhe, Mançesterin dhe Liverpulin. Atje mund të zhvendoseni në një qytet tjetër nëse kostoja e jetesës është shumë e madhe, këtu nuk ke një vend tjetër të mirë për t’u zhvendosur".

Vitin e kaluar, Parisi, Zyrih dhe Hong Kong ndanë vendin e parë në sondazhin e EIU. Zyrih dhe Hong Kong ishin të katërt dhe të pestë këtë vit, të ndjekur nga Nju Jorku, Gjeneva, Kopenhagë, Los Anxhelos dhe Osaka.

Teherani u ngjit më së shumti në renditje, duke kaluar nga vendi i 79 në vendin e 29.

EIU tha se renditja vazhdon të jetë e ndjeshme ndaj ndryshimeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.

"Edhe pse shumica e ekonomive tani po rikuperohen pasi vaksinat Covid-19 po shpërndahen, qytetet kryesore të botës ende përjetojnë rritje të shpeshta të rasteve, duke shkaktuar kufizime të reja sociale. Në shumë qytete kjo ka ndërprerë furnizimin e mallrave, duke çuar në mungesa dhe çmime më të larta".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë