Treg

Tekstilet dhe këpucët ulën ekportet në gjysmën e parë të vitit

Stoqet e pashitura (kontratat e bllokuara ose të parealizuara) dhe prodhimi i munguar në sektorin e Tekstileve dhe Këpucëve ka ndikuar në rënien e eksporteve në muajin qershor krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kualuar, po ashtu edhe si gjashtëmujor.

INSTAT ka raportuar se në qershor 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u ulur me 9,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 7,3 %, në krahasim me Maj 2020.

Në gjashtëmujorin e parë 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 125 mld lekë, duke u ulur me 17,7 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 146 mld lekë, duke u ulur me 11,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.

Rënia vjetore e eksporteve prej 9,7 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -4,5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” , “Materiale ndërtimi dhe metale”. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan”.

Eksportet, gjatë këtij gjashtëmujori janë ulur me 17,7 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -9,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”.

Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” dhe “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi”.

Importet e mallrave

Importet e mallrave arritën vlerën 52 mld lekë në qershor, duke u ulur me 2,8 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 16,1 %, në krahasim me Maj 2020.

Rënia vjetore e importeve prej 2,8 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,7 pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,9 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Produkte kimike dhe plastike”.

Si gjashtëmujor, importet janë ulur me 14,6 %, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2019. Grupet që kanë ndikuar neativisht në uljen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndëdjegëse, energji elektrike”, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, “Tekstile dhe këpucë”. Në ndryshimin vjetor të importeve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan”.

Tregtia e mallrave sipas vendeve partnere

Gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (14,0 %), Turqia (12,2 %) dhe Mbretëria e Bashkuar (14,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-24,6 %), Kosova (-28,1 %) dhe Spanja (-11,5 %).

Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Rusia (43,5 %), Mbretëria e Bashkuar (167,0 %) dhe Ukraina (61,7 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-20,2 %), Greqia (-10,7 %) dhe Turqia (-6,7 %).

Shkëmbimet tregtare, për gjashtëmujorin e parë 2020, me vendet e BE-së zënë 63,3 % të gjithë tregtisë.

Në periudhën Janar-Qershor 2020, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,6 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 57,6 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,0 %), Greqia (7,8 %), Gjermania (7,4 %) dhe Turqia (6,6 %).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë