Ngjarje

Tefta Malaj kërkon të shohë djalin dhe trupin e vajzës së vrarë. Burri i verbuar nga xhelozia: Filmoja takimet e gruas

Gazeta Si - “Dua të shoh djalin tim dhe trupin e Xhesikës sime në morg: Janë të vetmet gjëra që kërkoj”, - ka pohuar mes dhimbjes Tefta Malaj, gruaja që i shpëtoi tërbimit vrastar të bashkëshortit të saj, Taulant Malaj në Itali.

Shqiptari, 45 vjeç, vrau vajzën 16-vjeçare, Xhesika dhe fqinjin italian, Massimo De Santis, një pastiçer 51-vjeçar, i cili besohej nga burri se ishte i dashuri i gruas së tij.

Fjalët e thëna nga 39-vjeçarja, vijnë nga shtrati i spitalit në departamentin e kirurgjisë së përgjithshme të Policlinico Riuniti të Foggia-s, ku mjekët e operuan pas plagëve të marra me thikë gjatë sulmit të dhunshëm që ndodhi në banesën e familjes në Torremaggiore.

LEXO EDHE:
- Postimi i fundit i Xhesika Malajt, 16-vjeçarja shqiptare kujdesej për familjen dhe ishte krenare për babain e saj
- Video tronditëse e shqiptarit që masakroi familjen dhe italianin: Ta fala një herë (tradhtinë), tani i vrava të tre!
- Djali 5-vjeçar i familjes Manaj u fsheh pas divanit gjatë masakrës. Vrasësi rrëfen: Pashë sms-të e gruas time me fqinjin italian

Mjekët duan të plotësojnë dëshirën e Teftës, por duhet të kujdesen së pari për gjendjen e saj shëndetësore.

Gruaja është e vetëdijshme dhe në gjendje të mirë, por shumë e rraskapitur. Për këtë i është siguruar edhe mbështetje psikologjike.

Burri regjistronte me kamera lëvizjet e gruas

Taulant Malaj ishte i sigurt se gruaja kishte një lidhje jashtëmartesore me fqinjin italian Massimo DeSantis. Dhe, për këtë, përmes kamerave të shtëpisë, ka spiunuar lëvizjet e saj dhe ato që ai besonte se ishin takimet e supozuara me të dashurin e 39-vjeçares dhe i ka regjistruar me celularin e tij.

Kështu është shprehur para hetuesve bukëpjekësi shqiptar, i cili kreu një masakër natën mes të shtunës dhe të dielës.

Pranimet e supozuara të bashkëshortes

Gjatë marrjes në pyetje, sipas mediave italiane, burri tregoi gjithashtu se gruaja e tij kishte pranuar që kishte "një lidhje me Massimon dhe se - vazhdoi shqiptari - ajo më kishte kërkuar falje, por unë doja të ndahesha".

Bukëpjekësi ka rrëfyer se ditët e fundit ka pasur një diskutim dhe ai kishte shprehur qëllimin e tij për t'u ndarë, por gruaja e tij e kishte bindur të qëndronte në shtëpi.

Mbrëmjen e së shtunës – përsëri sipas rrëfimit të tij – teksa çifti ishte në shtrat, gruaja filloi të bisedonte me dikë në telefon dhe kështu Taulant Malaj zbuloi se po komunikonte me tregtarin që banonte në katin e tretë të të njëjtit pallat të tyre.

Kështu, ai doli nga shtëpia dhe e priti te dera e shtëpisë italianin. Kur mbërriti, e goditi me thikë duke e vrarë.

Më pas, ai u ngjit në katin e parë të shtëpisë së tyre, duke goditur gruan dhe vajzën 16-vjeçare Xhesika, e cila u përpoq të mbronte nënën e saj.

E kurseu djalin e tij 5-vjeçar

Pasi vrau të dashurin e dyshuar të gruas dhe vajzën e tij, Taulant Malaj regjistroi një video, duke filmuar kufomat dhe gruan e tij ende të gjallë.

Në video, ai pyeste se ku ishte djali 5-vjeçar dhe bërtiste se nuk kishte mbaruar ende.

I mituri, i frikësuar u fsheh pas divanit në dhomën e ngrënies. Bukëpjekësi shtoi se, menjëherë pasi kuptoi se kishte vrarë vajzën e tij dhe të dashurin e dyshuar të gruas së tij, mori djalin e tij të vogël.

Pas kryerjes së krimit, Taulant Malaj e fshehu armën në makinë: dyshohet se u ka besuar hetuesve se synonte të ikte dhe të mbulonte gjurmët.

Ndërkohë, karabinierët kanë proceduar për sekuestrimin e celularëve të Taulantit, bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Vrasësi: Videon e bëra pa ndonjë arsye të veçantë

"Një ditë Massimo mori gruan time me makinën e tij ‘Maserati’", - ishte një nga frazat e shpeshta që thoshte Taulant Malaj pas arrestimit para hetuesve.

Në versionin e raportuar në prokurori, 45-vjeçari tha se ishte i bindur se prej më shumë se një viti, kishte një marrëdhënie klandestine mes gruas së tij dhe De Santis, e cila filloi pas një konflikti mes çiftit.

Sipas autorit, Tefta dhe Massimo janë “takuar që atëherë” dhe “filluan të bisedonin”. Mësohet se Malaj i tha prokurorit se gruaja dhe miku i tij hanin shpesh bashkë.

I dyshuari kishte regjistruar edhe disa dreka mes të dyve me celularin e tij, si dhe kishte filmuar vajzën e tij Gessica me Massimo-n, të dy të vdekur.

I pyetur në lidhje me filmimin e videos pas krimit, Malaj ka pohuar: “Nuk ka ndonjë arsye të veçantë”.

Videoja i është dërguar më pas nga 45-vjeçari një shoku të tij në Imola dhe tashmë është marrë nga hetuesit.

“Në atë moment kisha në mendje djallin”, shtoi Malaj duke iu referuar rrethanave të vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes së gruas së tij.

Telefonata për të vëllain pas vrasjes

Gjithashtu, sipas asaj që u raportua në dosjen hetimore, menjëherë pas vrasjes së dyfishtë, Taulant Malaj ka telefonuar vëllain e tij për t'i treguar se çfarë kishte kryer.

45-vjeçari dyshohet se ka kontaktuar të vëllanë, duke thënë: “Kam vrarë gruan, vajzën dhe të dashurin e gruas sime”.

Vetë Taulant Malaj i tha prokurorit se vëllai i tij nuk do të paraqitej menjëherë në shtëpinë e tij nga frika, por vetëm, pasi erdhi ambulanca.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë