Ngjarje

Gruaja e Taulant Malajt kërkon të shohë videon e masakrës. Babai vrasës shpërthen në lot për vajzën

Katër ditë pas krimit të rëndë shqiptari Taulant Malaj ka kuptuar se çfarë ka bërë duke u shkrehur në lot në seancën e parë ku iu komunikua arresti me burg dhe rimarrja e dëshmisë. Sipas avokatëve shqiptari ndodhet në gjendje të rënduar. Shqiptari rrëfehet para prokurorëve për italianin: Një ditë ai e solli gruan time me Maserati!

Gazeta Si - Tefta Malaj, gruaja e Taulant Malajt, u ka kërkuar mjekëve që të mund të shikonte videon e tmerrit të regjistruar nga bashkëshorti i saj menjëherë pas vrasjeve në të cilën ai filmonte trupat e pajetë të pastiçerit italian dhe të vajzës së tyre.

Shqiptarja 39-vjeçare, mbeti e plagosur shtunën mbrëma pas goditjeve me thikë, ku humbën jetën vajza e saj Xhesika, 16 vjeçe dhe fqinji 51-vjeçar italian, Massimo De Santis.

Por mjekët i kanë mohuar gruas lejen për të parë videon e masakrës të xhiruar nga vetë vrasësi, i cili dyshonte se gruaja e tradhtonte me italianin.

Më herët, Tefta Malaj i kishte shprehur mjekëve gatishmërinë e saj për të parë trupin e vajzës së saj dhe për të përqafuar djalin e saj që ishte fshehur pas divanit në dhomën e ngrënies atë natë.

Mjekët kanë kërkuar 48 orë kohë për të vendosur dhe për ta shoqëruar këtë akt me një psikologe që tashmë po e ndjek.

Megjithatë, ata iu përgjigjën pozitivisht vizitës së djalit të saj të vogël që e vizitoi mamanë në spital. Kjo, sepse mund të jetë e rëndësishme për përmirësimin e gjendjes së saj shëndetësore, pasi Tefta, edhe pse ka dalë jashtë rrezikut për jetën, ka të dëmtuar një mushkëri nga goditjet me tikë të bashkëshortit.

Ndërkohë, Gjykata për të Mitur në Bari, ka kërkuar informacion nga spitali në Torremaggiore në Foggia për kushtet e gruas për të kuptuar nëse do të procedohej me një kujdestari të mundshme të fëmijës.

Ndërkohë, mëngjesin e kësaj të mërkure, Taulant Malaj, gjatë marrjes në pyetje të seancës për vërtetimin e masës së sigurisë, praktikisht konfirmoi deklaratat e bëra në zv.prokuror edhe pse “më vonë – siç konfirmuan avokatët e tij Michele Maiellaro dhe Giacomo Lattanzio – kaloi në një gjendje shoku.

“Klienti ynë do të kishte dashur të bënte deklarata të tjera, por kishte një krizë psikologjike dhe qau. Ai ishte i tronditur dhe i dëshpëruar për vajzën e tij”.

“Sa më shumë kalon koha, aq më shumë ai fillon të ndërgjegjësohet për atë që ka ndodhur. Ai kishte djallin në kokë ", thonë avokatët të cilët do të vlerësojnë nëse do të kërkojnë ose jo një raport psikiatrik. Hetimet e thelluara do të jenë thelbësore”, thonë ata.

Avokatët gjithashtu thanë se prokurori i Foggia-s ka depozituar një video, të regjistruar me kamerat e shtëpisë së çiftit, ku shihet sulmi ndaj gruas dhe vajzës së tij.

“Nga shikimi i asaj videoje, – shtuan avokatët, – del qartë se nuk ka pasur asnjë akt të dhunshëm ndaj djalit 5-vjeçar, që nuk është prekur. Fëmija ishte i pranishëm dhe jo i fshehur pas divanit. Ai e pa skenën dhe babai i tij nuk e preku dhe nuk u përpoq të bënte asgjë kundër tij”.

Sipas raportit të pretenduar, Taulant Malaj do ta kishte planifikuar masakrën po atë natë, pasi kishte kapur gruan e tij duke biseduar me Massimon.

Prokuroria ka nisur të analizojë telefonat celularë të sekuestruar nga viktimat dhe vrasësi i dyshuar, ndërkohë që një rëndësi të madhe në hetime kanë edhe dëshmitarët.

“Unë e bëra videon pranë kufomave, nuk kishte asnjë arsye të veçantë. I regjistrova takimet e tyre, një ditë ai e solli me makinë me Maserati. Pasi i vrava mora në telefon vëllain tim të cilit i thashë çfarë kisha bërë. Nuk erdhi menjëherë, kishte frikë, mbërriti pas ambulancës”, tha bukëpjekësi 45-vjeçar shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë