Ngjarje

Video tronditëse e shqiptarit që masakroi familjen dhe italianin: Ta fala një herë (tradhtinë), tani i vrava të tre!

Këto kanë qenë fjalët e shkëputura nga një video e xhiruar nga Taulant Malaj pak pas vrasjes në Torremaggioe. Shqiptari në Itali, theri me thikë të bijën 16 vjeçe, 51-vjeçarin italian Massimo De Santis dhe plagosi gruan e tij, pasi dyshonte se e tradhtonte me tregtarin italian

Gazeta Si - Pas masakrës me thikë ndaj familjes së tij në Torremaggiore (Foggia), duke i marrë jetën vajzës 16 vjeçe dhe një italiani 51-vjeçar, për të cilin dyshonte se kishte lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e tij, Taulant Malaj bëri një video ku tregonte krimin që sapo kishte kryer.

Videon ia nisi të njohurve dhe pamjet, sipas mediave italiane, janë të tmerrshme dhe kanë sjellë shumë reagime.

Në këtë video, bashkëshortes së plagosur, Tefta Malaj i drejtohet në shqip, ndërsa shfaqet me trupin e pajetë të 51-vjeçarit Massimo De Santis, i cili sipas tij kishte lidhje me gruan 39-vjeçare shqiptare.

“E shihni këtë këtu, ky është italiani. E kam falur njëherë gruan time, ky është i dyti”, dëgjohet të thotë Malaj në video.

“E thera (i referohet italianit), i vrava të tre, edhe familjen time. Shihni këtu”, vijon ai, duke fyer bashkëshorten, e cila e plagosur krah trupit të pajetë të vajzës 16-vjeçare, i lutej për mëshirë.

Më pas, duke bërtitur, Malaj pyet ku është “i vogli”, duke iu referuar djalit 5 vjeç që nuk e gjeti në shtëpi, e që sipas hetuesve po e kërkonte për ta vrarë: “Nuk kam mbaruar punë ende, nuk ka ardhur askush, as policia”, shton autori i masakrës.

Mediat shkruajnë po ashtu se Taulanti në video i është drejtuar gruas me këtë frazë pas masakrës: "Nuk po të vras, ​​sepse duhet të mbijetosh dhe të përjetosh gjithçka, si dhimbja që më ke shkaktuar”. Në fakt, më herët u raportua se 16-vjeçarja kishte mbrojtur nënën me trupin e saj.

45-vjeçari shqiptar me origjinë nga Selenica e Vlorës, e kreu krimin i bindur se italiani Massimo De Santis kishte lidhje me gruan e tij, me këtë të fundit që ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Malaj fillimisht qëllon tregtarin 51-vjeçar në korridorin e hyrjes së ndërtesës me 20 goditje në kraharor dhe bark, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas ngjitet në shtëpinë e tij, duke tentuar të vrasë gruas, por në përpjekje për të mbrojtur nënën e saj, autori vret edhe vajzën e tij 16-vjeçare, Gessica Malaj.

Adoleshentja shqiptare ishte një vajzë modele e përkushtuar ndaj studimit dhe shumë e lidhur me nënën e saj përshkruajnë mediat italiane.

Vajza ndiqte vitin e tretë të Liceo Classico "Fiani-Leccisotti" të Torremaggiore dhe ishte një nxënëse e mirë.

Një vajzë e shkolluar dhe shumë studioze që nuk i kishte dhënë kurrë probleme familjes. “Një vajzë, – thotë një zonjë që e njihte, – gjithmonë me buzëqeshje në buzë dhe shumë e lidhur me nënën”.

Në profilin e shkollës në Facebook, drejtoresha Carmine Collina ka shkruar një mesazh ngushëllimi në emër të të gjithë institutit. “Instituti Fiani-Leccisotti, në unison me USR Puglia dhe UST of Foggia, - lexohet në profilin e shkollës në Facebook, - shpreh dhimbje dhe për lajmin e tmerrshëm të vdekjes së studentes Gessica Malaj, një vajzë e shkollës dhe komunitetit tonë njerëzor”.

Pas ngjarjes, shqiptari u arrestua nga policia, i akuzuar për vrasje të dyfishtë dhe tentativë vrasjeje. Në bazë të krimit, duket se ka pasur arsye xhelozie nga ana e Malajt ndaj gruas së tij, pasi 45-vjeçari dyshonte për një lidhje jashtëmartesore me tregtarin italian.

Siç shkruajnë mediat italiane, çifti ishte në proces divorci. Fqinjët thonë se 45-vjeçari shqiptar kishte kohë që ishte larguar nga banesa dhe nuk jetonte më me bashkëshorten dhe fëmijët në Torremaggiore.

Italiani Massimo De Santis ishte pastiçer dhe pronar i një aktiviteti të njohur tregtar në zonë, ku jetonte në të njëjtin pallat me familjen shqiptare.

Ndërkohë, deklaratat e Tefta Malajt pëe hetuesit do të jenë thelbësore për të rindërtuar dinamikën e saktë dhe motivin e vrasjes së dyfishtë.

Gruaja është shtëpiake, por herë pas here punon si kujdestare për disa të moshuar në fshat. Me Taulantin kishin të martuar prej 17 vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë