Politike

Teatri në Kushtetuese, sot pritet vendimi

Gjykata Kushtetuese pritet që të dalë sot me një vendim në lidhje me padinë e dorëzuar nga Presidenti Ilir Meta që në vitin 2018 për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Një ditë më parë, gjykata u mblodh në një seancë maratonë që zgjati më shumë se 10 orë dhe u mbyll në orët e vona të mbrëmjes. Në këtë seanca u bë gjykimi në themel i çështjes, ku përfaqësuesit e Presidentit dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkuan shfuqizimin e ligjit special, vendimit të Qeverisë për kalimin e truallit në dorëzim të Bashkisë së Tiranës dhe vendimit të Bashkisë së Tiranës për shembjen e godinës.

Gjykata dëgjoi pretendimet e Presidencës dhe Aleancës nga njëra anë dhe të Qeverisë e Kuvendit në anën tjetër.

Presidenca kërkoi që gjykata të vendosë pezullimin e çdo veprimi, ndëras Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit tha se shpresonte në një vendim të drejtë, sepse në të kundërt do t’u drejtohej gjykatave ndërkombëtare.

Kuvendi tha se ligji special i miratuar është në përputhje me Kushtetutën dhe në të u reflektuan edhe vërejtjet e Presidentit Ilir Meta që e ktheu fillimisht për rishqyrtim.

Nga Qeveria thanë se vetë kërkesa e Presidencës nuk bazohet në fakte ligjore dhe e cilësoi të gjithë çështjen si të padenjë për t’u gjykuar nga Gjykata Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë