Art dhe Kulture

Teatri Kombëtar – A do të ishte restaurimi një falsifikim historik?

“Siç ishte, aty ku ishte!” Kështu u drejtohej venecianëve kryebashkiaku i tyre Filippo Grimani,  ndërsa përuronte kambanoren e San Marco-s, në Venecia, rindërtuar në fillim të shekullit të 20, pas një shembjeje. Nga ajo kohë, shprehja e tij do të përdorej për çdo objekt që i nënshtrohej rikonstruksionit, sipas skemës origjinale arkitektonike, por me materiale dhe modalitete moderne. Në arkitekturë, një fenomen i tillë do të njihej me termin “falso storico”, që në gjuhën shqipe do të përkthehej si false apo falsifikim historik. Ky term përdoret sa herë bëhet ripropozimi i një stili arkitektonik i një kohe të shkuar, me materiale dhe teknika të kohëve të sotme.

Pak ditë më parë, në një intervistë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pyetur rreth çështjes së godinës së Teatrit Kombëtar, do të hidhte vetëdijshëm një polemikë të re mbi çështjen e shumëdebatuar prej një viti, duke përdorur termin e falsifikimit historik apo “falso storico”-s. Ministrja, arkitekte në profesion, do të ndalej tek dy filozofitë e shkollave të restaurimit; atë të vëllimeve apo atë konservativ të vlerës së vërtetë të një godine. “Vlera e shtuar e atij teatri kanë qenë materialet e përdorura në ndërtimin e tij, edhe deri diku fakti që nuk pritej që t’i rezistonin kohës deri tani, jo se i kanë mirërezistuar, por mund të ishin degraduar shumë kohë më parë”, do të shprehej ajo duke theksuar se po fliste si arkitekte në këtë rast, ndërsa shtonte, “nëse do të restauronim thjesht vëllimin, nuk i kemi dhënë asnjë gjë, asnjë vlerë të shtuar atij teatri. Nëse do të ndryshojmë materialin ne do të bëjmë atë, që në shkollë e quanim “falso storico”. Pra le të hapim një polemikë e të themi: “Duam që të bëjmë diçka false apo diçka reale?””

Arkitekti Maks Velo, pasi ka dëgjuar reagimin e ministres, thotë se nuk është dakord me termin “falso storico”, që ministrja Margariti e përdori duke iu referuar një rasti hipotetik rikonstruksioni të godinës së Teatrit Kombëtar. “Ky term në arkitekturë përdoret për objekte të një rëndësie të jashtëzakonshme dhe të vjetra. Fjala vjen një kishë mesjetare, e shkatërruar nga ndonjë tërmet dhe që rindërtohet nga e para, me materiale të tjerë, për t’i shëmbëllyer të vjetrës. Ky do të ishte përkufizimi i “falso storico”-s”, shprehet Velo për Gazetën “Si”, ndërsa shton se termi nuk përshtatet me godinën e Teatrit Kombëtar, pasi është objekt i vonë.

Ndërtimi i godinës së Teatrit Kombëtar, 1939.

Godina e stilit futurist, e porositur nga Mbretëria Shqiptare, u projektua në vitin 1938 nga arkitektit italian, Giulio Berté dhe përfundoi në shtator të 1939-s. Aty u vendos rrethi italo-shqiptar “Scanderbeg”, si qendër kulturore, artistike, sportive dhe argëtuese, e ndërtuar nga firma “Pater”. Maks Velo thotë se Teatri Kombëtar i përket afërsisht së njëjtës periudhë si edhe godina e Bankës së Shqipërisë, e cila u restaurua para disa vitesh nga një arkitekt italian.

Godina e Bankës së Shqipërisë, me një stil arkitektonik të rrymës së “Racionalizmit” përfundoi së ndërtuari në vitin 1938, nga arkitekti i njohur i kohës, Vittorio Morpurgo. Me volume të mëdha dhe  linja të forta, godina për 70 vite kishte strehuar një sërë institucionesh shtetërore. Restaurimi lindi si nevojë për më shumë ambiente, por kushti ishte të kthehej në origjinalitet ndërtesa ekzistuese. U shfrytëzua ideja e Morpurgos për të ndërtuar  një shtesë në krahët jugorë dhe perëndimorë të oborrit, të një ndërtese ose të një kompleksi të ri, lartësia e të cilit duhet të ishte sa ajo e ndërtesës ekzistuese. Kërkesa e Bankës së Shqipërisë, gjeti mbështetje në planin rregullues të qendrës së qytetit të Tiranës

.

Banka e Shqipërisë

Rikonstruksioni iu besua një tjetër arkitekti italian, Marco Petreschi, njohës i traditës së arkitekturës italiane të epokës së racionalizmit, kur është realizuar projekti i Morpurgos. Qëllimi parësor i këtij projekti  ishte rikthimi i  projektit origjinal të ndërtesës, ndërsa elementë të ndryshëm arkitekturorë u rifreskuan me restaurime dhe zëvendësime me të njëjtat materiale, formë e teknologji.  Për MaksVelon ishte sikur arkitekti Morpurgo e kishte parashikuar ndërhyrjen duke lënë hapësirën e nevojshme në pjesën e pasme të godinës. Vetë arkitekti restaurator do të thoshte se sfida me këtë projekt nuk kishte qenë aspak e lehtë dhe se kishte ndërmarrë studim të thelluar me skicat e Morpurgo-s.

Arkitekti restaurator, thotë më tej Velo, do të shprehej gjatë punës se muret ishin në gjendje të keqe dhe iu desh t’i fortifikonte nga brenda, por duke ruajtur fasadën e vjetër. “E njëjta gjë po ndodh edhe me hotel “Dajti””, shton Velo, ndërsa edhe në këtë rast projekti restaurues i është besuar të njëjtin arkitekt, Petreschi-t, i cili rikonstruktoi Bankën e Shqipërisë.

Hotel “Dajti”, i konsideruar si një nga më luksozët në Ballkan për epokën, u projektua nga arkitekti i famshëm italian Gherardo Bosio, ndërsa mobilimin dhe dizajnin brenda e bëri një tjetër italian Gio Ponti, i konsideruar si babai i dizajnit modern evropian. Vepra nisi të realizohej më 1939 dhe përfundoi dy vjet më vonë, më 1941-shin. Godina, me një status si monument i trashëgimisë kulturore prej vitit 2007, u ble nga Banka e Shqipërisë dhe në të ka nisur puna e rikonstruksionit. “Janë dy shembuj kaq pranë. Pse të mos bëhej një gjë e ngjashme edhe me Teatrin?!”, thekson Velo, i cili është rreshtuar që në ditët e para të protestave kundër shembjes së godinës, së bashku me grupimin e artistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Hotel Dajti

Teatri Kombëtar, i cili ndodhet në një zonë historike të qytetit, në një shqyrtim shkencor nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në varësi të ministrisë së Kulturës, e vlerësoi më 2014-ën, godinën e ndërtuar në të njëjtën periudhë me Bankën e Shqipërisë dhe hotel “Dajti”, si objekt që nuk mbart vlera. Të tri godinat janë ndërtuar nga arkitektë të famshëm të epokës, por vetëm dy prej tyre u gjykuan nga shteti shqiptar si monumente të trashëgimisë kulturore. “Sigurisht që ka nevojë për rikonstruksion, ka vend për t’u bërë tualete, jam dakord apo më shumë dhoma për aktorët”, pranon ai, duke theksuar një nga veçantitë e godinës.

“E bukura është se salla vjen në nivel të rrafshët. Është e arritshme lehtë, sapo hyn. Në një nivel. Kjo është cilësi e veçantë. Isha në dhjetor në Paris, dëgjova Ermonela Jahon në Operan Kombëtare të Parisit dhe të duhet të ngjitesh nëpër shkallë e pastaj të zbresësh për të arritur në sallë”, thotë Velo, duke iu referuar godinës së teatrit. Sipërfaqja e tokës për projektin, blerë nga familja Libohova për interes publik, përfshinte 13 mijë metra katrore, prej të cilave 7 mijë metra katrore mbulohen nga godina brenda së cilës ishte biblioteka, zyra e informacionit, zyra e përkthimit letrar, etj. Kur familja Libohova, ia shiti shtetit italian pronën, në kontratën e shitblerjes specifikohej se ai që e ble truallin, nuk do të mund ta përdorë për asnjë destinacion tjetër, veçse për teatër.

Funksionet kulturore dhe sportive godina vazhdoi t’i ushtronte edhe pas pushtimit italian. Pas kapitullimit italian, ndërtesa ndërroi emër dhe u quajt Kinema “Kosova”. Më 1945 iu bë edhe ndryshimi i fundit, duke u shndërruar në Teatër Popullor, më pas Kombëtar. Ligji special që i hapte rrugën shembjes së godinës aktuale për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar kaloi peripeci të gjata në sallën e Kuvendit, ku u miratua nga mazhoranca, u kthye për rishqyrtim nga presidenti dhe u miratua përsëri i ndryshuar me 74 vota, duke hapur garën për projektet mbi godinën e re të teatrit. Kryeministri Edi Rama, muajin e shkuar, do të deklaronte se “teatri i ri do të ndërtohet me se s’bën”, me qëllim krijmin e standardeve dhe kushteve dinjitoze për artistët.

Projekti për restaurimin e hotel “Dajti”

Ndërkohë, komuniteti i artistëve që prej më se një viti i vazhdon protestat çdo natë në oborrin e teatrit, është shprehur në një deklaratë të përbashkët se kryeministri nuk do të guxojë të ndërmarrë asnjë hap kundër Teatrit, ashtu siç nuk ka guxuar deri më sot. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka renditur herë pas herë motivet që çojnë me patjetër nevojën për një ndërtesë të re, mes tyre edhe materialet kancerogjene, si asbesti, i cili nuk përdoret prej kohësh në ndërtime, ka thënë gjithashtu se teatri aktual nuk ka kapacitete mjaftueshëm për të mirëpritur publikun. “Po teatri nuk është stadium, ku një ndeshje futbolli mundesh ta shohësh vetëm njëherë, sepse goli nuk përsëritet më. Në teatër ka kalendar shfaqjesh dhe publiku zgjedh kur shkon. Krijon marrëdhënie më intime mes publikut dhe aktorit”, ironizon Maks Velo.

Megjithëse ministrja ka zgjedhur të flasë si arkitekte, duke shpjeguar filozofitë e shkollave të restaurimit, ka ngurruar të japë qëndrimin e saj se ç’do të ndodhë me godinën, ndërsa shefi i saj, kryeministri Rama e theksoi edhe njëherë shembjen e godinës së teatrit. “Nuk harroj Teatrin e ri Kombëtar të cilin do ta ndërtojmë me sesbën dhe për turpin e të gjithë atyre që e kanë baltosur pa lindur projektin tonë le ta bëjmë teatrin e ri kombëtar një kryevepër të konfirmuar ndërkombëtarisht ashtu si Arena”, do të thoshte ai gjatë Kongresit të PS-së, më 23 mars, ndërsa rikonfirmoi Erion Veliajn si kandidat për një mandat të dytë në Tiranë, në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Por a do të quhej fals godina e teatrit, nëse do i nënshtrohej një restaurimi në vend të shembjes për t’ia lënë hapësirën një të riu? Në një studim, mbi falsen historike dhe atë arkitektonike, Antoni Gonzalez, shkruan se e gjitha është çështje identiteti. “Shtyllat e Hajatit të Luanëve të Alhambrës nuk janë më pak autentikë, për faktin se janë aty nga epoka nazari apo që kur i vendosën restauratorët. As për faktin nëse janë pikëluar apo jo prej lotëve të Boabdilit. Janë origjinalë nëse janë të aftë të ërtetojnë formën dhe materialin e tyre dhe të kremtojnë me rreptësi shkencore hapësirën nazari në mënyrë origjinale, sa për të transmetuar mesazhet historike, estetike dhe emblematike të asaj arkitekture sugjestive”, shkruan arkitekti spanjoll Gonzalez. Nëse do të restaurohej, kryebashkiaku i Tiranës mund të huazonte shprehjen e homologut të tij Venecian, në fillim të shekullit të shkuar, duke u thënë qytetarëve “Ku ishte, siç ishte”. Me një të ri, do t’i jepte fund jetës së një skene ku u ngjitën një plejadë aktorësh, që bënë historinë e artit dramatik. Veprat arkitekturore janë ndoshta mënyra e thjeshtë për t’u rrëfyer historinë të huajve dhe për të pasur atë ndjesi familjariteti me qytetin tënd. Ecim çdo ditë përmes historisë, por ndërsa ndërtesat e vjetra rrënohen e shemben, e mbi to mbijnë të reja shumëkatëshe, do të mbetemi pa të shkuar…/ S.B

 

Më Shumë