Politike

Çështja e Teatrit, deputetët futen në rol

Komisionet Parlamentare u mblodhën këtë të hënë sipas kalendarit të punimeve. Por, ndërsa mazhoranca u përpoq të diskutohej rendi i ditës, opozita ngriti përmes përfaqësuesve të saj nëpër të gjithë Komisionet çështjen e Teatrit Kombëtar.

Diskutimet u ashpërsuan në Komisionin e Ekonomisë, ku u përplas Bardh Spahia i demokratëve me Erjon Braçen. Në cilësinë e kryetarit, Braçe ndërpreu seancën dhe kërkoi nxjerrjen jashtë nga ky Komision të Spahisë.

Epiqendra e debatit ishte në Komisionin e Çështjeve Ligjore, ku ishte thërritur në seancë dëgjimore ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Që në nisje të punës, Partia Demokratike kërkoi heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për Teatrin Kombëtar. Ulsi Manja e hodhi në votim dhe me forcën e kartonave, kjo kërkesë e opozitës u rrëzua, por jo pa debate.

Debati

Ulsi Manja i drejtohet Enkelejd Alibeajt: Po thyeni kodin e etikës.
Alibeaj: Nuk më tregon mua etikën ti. Nuk bën moral hajduti.
Manja: Jeni bashkëfajtor në vrasje.
Alibeaj: Nuk ma thua dot mua ti.
Manja: Më tregon ti mua moral?! Ju që keni vrarë njerëz!
Oerd Bylykbashi, PD: Ju po shembni Teatrin.
Manja: Ti nuk e di se ku bie godina e Teatrit Kombëtar. Ju që jeni vrasës, ju nuk mund të më bëni moral mua.
Klevis Balliu, PD: O Uliks, ti fle me dritën ndez, mos më trego mua se e di unë ca je ti.
Alibeaj: Mos u bëni vegla të krimit të Ramës. Jeni bashkëpunëtor në vrasje, e vini flisni për moral. Jeni duke vjedhur, bandë hajdutësh.
Manja: Kush është pro kush është kundër, rrëzohet kërkesa e opozitës në Komision. Vazhdojmë me rendin e ditës.

Më pas, Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike u tha kolegëve të tij të mazhorancës se projektligji në fjalë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e tjera ekzistuese. Nuk ngurroi as t’u thotë se me votën pro do të përfundonin në Prokurori.

“Ky projektligj shkel të paktën 7 dispozita të Kushtetutës dhe tre ligje ekzistuese. Ajo është një pronë publike dhe jo pronë shtetërore. Duhet të dini se prona në regjim publik nuk tjetërsohet se nuk është as e Edi Ramës dhe as e Parlamentit, është e shqiptarëve dhe duhet t’i dini këto se do t’ju duhen nesër kur të dilni para Prokurorisë, se do të vijë dita kur do të ketë prokurori, nuk do të ketë Arta Marku. Do të vijë dita kur do të ketë Gjykatë Kushtetuese”, tha Alibeaj.

Deputeti demokrat jep versionin e opozitës se përse është zgjedhur procedura e kalimit me ligj në Parlament shembja e Teatrit Kombëtar.

“Edi Rama e bëri sepse do të shpërndajë përgjegjësinë e fajit tek ju, si Ali Baba me 40 hajdutë. Nuk e di merrni ndonjë euro ju, ndonjë koncesion droge a ça?”, tha ai.

Megjithatë, mazhoranca vazhdoi përpara me planin e saj. “Interpretim i denjë për teatrin e ri, interpretim politik i shkëlqyer. Aktor më të mirë nuk ka për të patur teatri”, tha Ulsi Manja.

Bledi Çuçi nga PS kundërshtoi Alibeajn. Ai tha se procedura e kalimit si akt ligjor bëhet për Parlamentin që të ratifikojë një marrëveshje me privatin që do ta ndërtojë godinën e re.

Ndërkohë, ministrja e Kulturës tha nga ana e saj se ndërhyrjet e shpeshta që janë bërë përgjatë viteve në godinën e ekzistuese e kanë dëmtuar rëndë atë dhe mjediset e brendshme të saj janë krejtësisht jashtë parametrave normalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë