Politike

Të votosh ligjet nga… makina

Deputetët kanë “abuzuar” me punën nga shtëpia duke u shfaqur në mbledhjet e komisioneve parlamentare në mjedise joserioze dhe shpesh në kundërshtim me ligjin.

Rasti i fundit që sjell Instituti i Studimeve Politike është ai i deputetit socialist, Ilir Beqaj. Ai shfaqet në të njëjtën mbledhje të 1 tetorit të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, fillimisht nga zyra dhe më pas nga makina.

“Deputeti vijon nga makina të komentojë nene dhe të japë sugjerime, duke supozuar se e ka ligjin në dorë dhe po punon me të, ndërsa kolegët në komision dhe ekspertët e thirrur i komentojnë sugjerimet e tij! Sesi mund të ndiqet një debat parlamentar duke dalë nga zyra drejt makinës dhe duke udhëtuar me makinë, sesi mund të diskutohet mbi nene e vendime që prekin interesa të mëdha qytetare, sesi mund të ushtrohet pushteti legjislativ në forma të tilla, vetëm modele parlamentare si këto mund të na thonë!”, thuhet në deklaratën e ISP-së.

Instituti thotë se të tilla praktika jo vetëm që nuk gjenden në asnjë parlament tjetër europian, që gjithashtu janë përshtatur me kushtet e pandemisë duke punuar nga distanca, por bien ndesh edhe me ligjet e vendit tonë, në rastin konkret me Kodin Rrugor.

“Disa raporte, deklarime, sugjerime dhe rekomandime i kanë kërkuar Kuvendit të përmirësojë standardin e punës dhe t’i japë integritet aktivitetit parlamentar duke filluar nga gjëra minore, siç janë detyrimi që deputetët të marrin pjesë në mbledhjet online nga mjediset e Kuvendit, të zyrave apo të ambienteve të tjera të përshtatshme që mundësojnë shqyrtimin, diskutimin dhe vendimmarrjen serioze të akteve parlamentare”, thotë ISP.

ISP thotë se ky nuk është rasti i parë dhe në të shkuarën ka shprehur kritika për dy deputetë që morën pjesë dhe votuan në mbledhjet e komisioneve parlamentare gjatë kohës që ishin në udhëtim me automjetet e tyre dhe kërkon marrjen e masave.

“Praktika të tilla duhet të marrin fund! Kuvendi dhe pushteti legjislativ janë institucione më serioze sesa deputetët që mund të jenë edhe për arsye rastësore aty, ndaj meritojnë respekt, integritet e solemnitet edhe kur aktiviteti parlamentar bëhet rutinor për shkaqe jashtë tyre. ISP nxit konferencën e Kryetarëve dhe Byronë e Kuvendit ta trajtojnë këtë problematike anormale dhe ta kthejnë aktivitetin parlamentar në shinat formale të praktikave parlamentare europiane”, mbyllet deklarata e ISP-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë