Para

‘Të ulet përdorimi i parave cash’, Rama: Të digjitalizohen shpejt shërbimet financiare, s’pranohet më kjo situatë

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria synon uljen e përdorimit të parave cash dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare.

Kështu deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një takim me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re Fintech në Shtëpinë e Biznesit ku u kërkoi bankave të përshtaten me inovacionin.

Sipas Ramës, reduktimi i parave cash dhe shtimi i transaksioneve bankare do të rrisë transparencën e parasë dhe do të sjellë më shumë të ardhura për vendin.

“Ne nuk mund të jemi një vend që mbetet shumë i mbyllur karshi inovacionit në sistemin bankar, nuk mund të jemi një vend që mbetet ende shumë i kapur në një boshllëk midis mënyrës sesi është i ndërtuar dhe funksionon sistemi ynë financiar dhe mënyrës si është ndërtuar dhe funksionon sistemi financiar i ekonomisë familjare dhe nuk mund të jemi një vend që vazhdon me një volum “cash-i” të papranueshëm në qarkullim, duke pasur në ndërkohë një shpenzim shumë të lartë të vetë prodhimit të letrës së parasë.

Nuk mund të jemi natyrisht një vend që vazhdon e kërkon formalizimin e ekonomisë në rrugët tradicionale të inspektimeve fizike dhe të gjobave që kanë rezultuar në të shumtën e herës metodë e pasuksesshme dhe nuk mund të jemi një vend ku bankat mbeten ende shumë larg nevojës së ekonomisë kur vjen puna tek shpejtësia dhe tek eficenca e transaksioneve, që për ta thënë me një fjalë të vetme, edhe pagesat direkte janë në të shumtën e herës, me metoda tradicionale”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se kemi një sistem bankar që “i ka të gjitha virtytet pozitive të një sistemi tradicional”.

“Tani ne nuk jemi më në listën gri dhe i kemi të gjitha arsyet të kërkojmë me zë të lartë nga bankat që të jenë në lartësinë e kësaj sfide që është sfida e Shqipërisë.Duam të shikojmë bizneset që shesin me këto sisteme, duam të shikojmë rënie reale të cash-it në qarkullim, duam të shikojmë rritje reale të transparencës së parasë dhe rritje reale të të ardhurave për vendin dhe këtë gjë ne duam ta bëjmë në mirëkuptim të plotë dhe në paqe.

Në të gjitha rastet ne këtë gjë do ta bëjmë, do ta bëjmë se s’bën sepse nuk mundet dot ta pranojmë inercinë e kësaj situate të tmerrshme”, deklaroi Rama.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i cili ishte i pranishëm në takim u vuri si afat bankave të nivelit të dytë që deri në muajin qershor të realizohet digjitalizimi i sistemit financiar “open banking”.

Sejko tha gjithashtu se janë hequr edhe shumë cash nga qarkullimi, ndërsa theksoi se po punohet përmes Komunitetit Kombëtar të Pagesave ku ftoi bankat që të bëhen pjesë e këtij procesi.

“Për të thënë konkretisht ka një ligj dhe ligji është për t’u zbatuar. Në funksion të këtij ligji ne kemi ndërtuar ligjin për shërbimin e pagesave. Kemi ndërtuar kuadrin nën ligjor për shërbimet e pagesave dhe kemi licencuar ju që jeni këtu dhe disa të tjerë.Jemi në momentin praktik, që ka të bëjë me zbatimin e kësaj gjeje dhe përkthimin në biznes konkret. Ajo që ka mbetur është pjesa e ‘open banking’.Është diskutuar dhe pjesa e open banking me afate, përtej detajeve, është elaboruar dhe deri në qershor kjo duhet bërë”, deklaroi ai.

Ndërsa ministri i Financave Ervin Mete u shpreh se inovacioni dhe digjitalizimi në sektorin financiar i shërben zhvillimit të ekonomisë.

Ai theksoi se edukimi financiar, nëse bëhet siç duhet, është një ndihmues dhe komponent i rëndësishëm.

Në eksperiencën time jo të largët, ne kemi aplikuar, në bashkëpunim edhe me sektorin bankar, disa zgjidhje që ishin inovative, shkonin drejt aplikimit të Fintech dhe I shërbenin jo vetëm sektorit, por edhe qytetarëve. Kam parasysh këtu aplikimin e një platforme që ndërlidhte sistemin tonë të blerjes së titujve me një nga 3 platformat kryesore në Europë që krijonte akses në bursat ndërkombëtare në bashkëpunim me bankat. Me një bankë tjetër autorizuam një platformë për tregtinë online të titujve të qeverisë, që është një nga elementët kyç edhe të likuiditetit të tregut të letrave qeveritare. Pra, inovacioni, digjitalizimi dhe përfshirja e sektorit i shërben jo vetëm tregut financiar, por edhe ekonomisë dhe më gjerë thellimit të tregut”, deklaroi Mete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë