Rend dhe Ligj

Të shtënat ndaj gazetarisë “dëgjohen” deri në Vjenë

Rreth mesditës së të enjtes nisi të shpërndahej nëpër mediat një lajm nga ata që prej vitesh nuk dëgjoheshin në Shqipëri. Në të thuhej se ishte goditur  me breshëri automatiku banesa e prindërve të një gazetareje kronike në vend, por fatmirësisht pa asnjë të lënduar.

Sulmi ishte marrë ndaj banesës së prindërve të gazetares së kronikës, Klodiana Lala. Autorët kanë qëlluar 10 herë në drejtim të banesës dhe nga imazhet që qarkulluan shiheshin qartë shenjat e plumbave në muret e shtëpisë private.

Policia konfirmoi rastin dhe tha se në vendngjarje ishin gjetur 10 gëzhoja. Të shtënat janë dëgjuar rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe në momentin e tyre në banesë kanë qenë prindërit, vëllai dhe fëmijët e gazetares, por jo ajo vetë.

Konfirmimin e dha edhe vetë gazetarja përmes rrjeteve sociale. Që në fillim e lidh sulmin me punën si gazetare duke përjashtuar konfliktet e tjera.

“Po ju flas në emrin tim dhe të familjarëve të mi. Jemi mirë, asnjëri prej nesh nuk është lënduar. Megjithatë, jemi të tronditur nga ngjarja. Duke i lënë institucionet të bëjnë punën e tyre, ju siguroj se unë dhe familjarët e mi, nuk kemi asnjë konflikt personal. Dyshoj se sulmi vjen si rezultat i punës time si gazetare. Këtë profesion e kam ushtruar me ndershmëri e profesionalizëm ndër vite, e do vazhdoj ta ushtroj këtë detyrë me të njëjtin përkushtim, pavarësisht gjithçkaje”, thotë ajo.

Sulmi bëri bashkë Shoqatën e Gazetarëve Profesionistë dhe Lidhjen e Gazetarëve Shqiptarë, që e dënuan atë.

“Breshëria e plumbave e lëshuar mbi shtëpinë e saj është këmbanë alarmi që bie fort për rrezikun që u kanoset gazetarëve në kryerjen e detyrës së tyre të përditshme”, thuhet në deklaratën e tyre.

Më pas, reagimet vërshuan nga gazetarë dhe figura publike, që përmes rrjeteve sociale bënë thirrje për t’u mbledhur para Kryeministrisë në orën 19:00, si mospajtim me dhunën ndaj medias. E tillë ishte nisma e Erion Kristos.

https://www.facebook.com/erion.kristo.58/posts/875124802692636

Pas gazetarëve reagimet nisën nga politika. Lulzim Basha nuk kishte asnjë dyshim se sulmi lidhej me denoncimet e guximshme që ka bërë gazetarja.

“Një gazetar që zbulon lidhjet e mafias me pushtetit është sulmuar me armë. Mesazhi mafioz për gazetaren është i qartë se kush del nga rreshti, kush shqetëson Qeverinë e ka fundin e shpejtë. Krimi kontrollon kupolën e policisë dhe Ministrinë e Brendshme, ndaj në Shqipëri nuk ka Polici, nuk ka Prokurori dhe nuk ka gjykatë”, u shpreh ai.

Kreu i PD-së pati dy mesazhe të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama.

“Edi Rama të gjejë autorët e sulmit mafioz ndaj gazetares. Sot kam një mesazh për Edi Ramën: nëse gazetares Klodina Lala, apo ndonjë gazetari tjetër i preket qoftë dhe një fije floku nga horrat e tu, do të mbash ti përgjegjësi”, u shpreh Basha.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ishte në të njëjtën linjë me Lulzim Bashën.

“Akti kriminal ndaj saj tregon edhe njëherë që sot në Shqipëri bandat, krimi janë ulur këmbëkryq dhe kurajo e tyre ka kaluar çdo kufi njerëzor. Breshëria e automatikut në pragun e shtëpisë së Klodiana Lalës nuk është vetëm tek ajo si gazetare, por është te të gjithë ne dhe në pragun e shtëpisë së çdo shqiptari”, deklaroi ajo.

Edi Rama vetë nuk drejton gishtin e autorësisë askund, por dënoi sulmin, mbështeti gazetaren dhe pret ndëshkimin e autorëve.

“E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Presidenca shpërndau një deklaratë ndëshkuese për rastin dhe veç inkurajimit të autoriteteve për ta zbardhur ngjarjen u tha se Presidenti Ilir Meta, përmes një bisede telefonike me gazetaren Klodiana Lala e kishte inkurajuar këtë të fundit që të vijojë misionin e saj pa u trembur dhe shantazhuar nga askush.

Lajmi tërhoqi në orët e pasdites vëmendjen e përfaqësive ndërkombëtare. Ambasada Amerikane iu drejtua rrjeteve sociale. Aktin e quan prej frikacakësh, e dënon dhe kërkon nga autoritetet zbardhjen dhe vendosjen e autorëve përballë drejtësisë.

https://www.facebook.com/usembassytirana/photos/a.446371155837/10155817218040838/?type=3&theater

“Ne nxisim autoritetet shqiptare të kryejnë një hetim tërësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë”, thotë Ambasada.

Përfaqësia e SHBA në Tiranë kujton rolin e gazetares në mbulimin e reformës në drejtësi, ndërsa sulmin e interpreton si dëshmi të punës së saj.

“Fakti që ajo u vu në shënjestër demonstron rëndësinë e punës së saj – sjellja e së vërtetës tek populli shqiptar. Një media e pavarur është frymëmarrja e një demokracie të fortë. Akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frikë sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë”, thotë Ambasada.

Po përmes rrjeteve sociale reagoi edhe delegacioni i BE-së në Tiranë.

“Dënojmë sulmin kundër gazetares investigative Klodiana Lala dhe përsërisim mbështetjen tonë më të fortë për gazetarët në vijën e frontit të raportimit mbi krimin e organizuar në Shqipëri. Ne ftojmë autoritetet që të hetojnë plotësisht dhe menjëherë ngjarjen”, thuhet në reagim.

Të shtënat u “dëgjuan” deri në Zyrën për Lirinë e Medias në selinë qendrore të OSBE-së në Vjenë.

https://www.facebook.com/OSCE.Albania/photos/a.425386397815213/703282440025606/?type=3&theater

“Jam thellësisht i shqetësuar për sulmin me armë ndaj shtëpisë së prindërve të gazetares. Ky sulm është një kërcënim i drejtpërdrejtë dhe i papranueshëm kundër gazetares, që i shërben klimës së frikës dhe të pasigurisë së shtypit në rajon. Sulme të tilla kundër gazetarëve nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar”, tha në një prononcim për News24, përfaqësuesi për Lirinë e Medias në OSBE, Harlem Desir.

Në orën 19:00, ashtu siç ishte paralajmëruar një grup gazetarësh dhe qytetarësh u mblodhën para godinës së Kryeministrisë. “Plumbat ndaj shtëpisë së Klodiana Lalës janë plumba mbi ne”, ishin parrullat e shpalosura në këtë manifestim të shkurtër, ku oganizatorët dhe pjesëmarrësit kërkuan nga Qeveria zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes.

Më shumë se nga Kryeministria, zbardhja e ngjarjes varet nga një tjetër zyrë dhe ajo zyrë është Prokuroria. Kryeprokurorja Arta Marku u zotua për një hetim transparent dhe të thellë të ngjarjes.

“Kryeprokurorja nxit dhe mbështet plotësisht hetimin transparent për të venë përpara drejtësisë autorët e sulmit. Prokuroria e Përgjithshme rithekson angazhimin për të venë në dispozicion burime njerëzore dhe infrastrukturore për të garantuar punën e Prokurorisë së Tiranës”, thuhet në reagimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë