Njerez

Të rinjtë shqiptarë pa informacion për karrierën. Interneti dhe prindërit, burimet e vetme

Nga Gazeta 'SI' -Të rinjve shqiptarë u mungojnë burimet e informimit mbi karrierën dhe 46% e tyre i gjejnë ato në internet.

Kështu tregon një anketë e organizatës European Training Foundation, ETF, duke theksuar se të rinjtë shqiptarë kërkojnë të dinë më shumë rreth sigurisë dhe mbrojtjes në tregun e punës.

Përpos internetit, burimi tjetër kryesor janë prindërit. Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, të rinjtë shqiptarë dhe ata serbë, i kanë familjarët mbështetës në këtë aspekt, edhe kur ata nuk kanë shumë informacion. Anketa del në konkluzionin se zakonisht ata i lënë të lirë fëmijët të vendosin për të ardhmen e tyre, por nuk janë të pakta as rastet kur bëhen pengesë.

Në pyetjen mbi “rrugën që ndiqni për të arritur profesionin që dëshironi”, përgjigja e të rinjve shqiptarë është ndryshe nga të tjerët, ata zgjedhin mundësitë e udhëtimit.

Shqiptarët zgjedhin alternativa jashtë vendit si një opsion më të mirë se ai i balancës punë-jetë personale. Kjo thotë raporti është e ndikuar dhe nga mediat sociale, ku fotografia e një jete të mirë pune vizatohet si e barabartë me ndjekjen e pasionit, udhëtimin, punën në distancë me laptop në plazh, të qenit kreativ dhe të mos ndjekësh një standard 9-në-5-punë.

Sipas anketës, 27.3% e të rinjve synojnë të arrijnë deri në nivelin e doktoraturës, 34.1% master dhe 11.4% bachelor.

Shqipëria, thotë raporti, ka mundësi të kufizuara për të rinjtë që kërkojnë këshillim karriere, përveç ndonjë organizate joqeveritare dhe donatorëve. Interneti i bën joefektive të gjitha iniciativat e tjera në këtë drejtim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë