Jete & Stil

Të qenit i vetmuar është po aq e keqe sa obeziteti apo sëmundjet e zemrës

Edhe pse teknologjia na ka afruar më shumë se kurrë me njerëzit, duket se nuk mjafton kur flitet për vetminë.

Numri i njerëzve që raportojnë se ndjehen të vetmuar vazhdimisht është rritur me 25 për qind që nga pandemia. Shifrat e fundit tregojnë se një në 17 persona ndihet i vetmuar pothuajse gjatë gjithë kohës.

Vetmia prek të gjitha moshat, në çdo rrethanë. Disa humbin të dashurit e tyre, disa jetojnë vetëm e disa jetojnë larg nga familja e tyre.

Por adoleshentët, çuditërisht, janë nga më të prekurit, pavarësisht se janë të rrethuar nga bashkëmoshatarët e tyre në shkollë dhe janë ngjitur pas telefonave inteligjentë që i lidhin me këdo me prekjen e një butoni. Në fakt, hulumtimi tregon, në mënyrë paradoksale se ata janë bërë më të vetmuar që kur përdorimi i celularit u përhap gjerësisht.

Dhe ata që janë në mes të jetës, të zënë me punë, fëmijë dhe miq, mund të jenë gjithashtu të vetmuar.

Puna nga shtëpia, blerjet në internet dhe të jetuarit më larg nga familjet kanë ndikuar të gjitha në numrin e lidhjeve të vërteta që bëjmë brenda një dite. Nuk duhet një shkencëtar për të thënë se kjo mund të ketë një ndikim negativ në shëndetin tuaj.

Sipas Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm (RCGP) në Britani, të ndihesh i vetmuar mund të jetë po aq e keqe sa edhe problemet kronike shëndetësore. Vetmia është e lidhur me depresionin, ankthin, sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2 dhe demencën dhe, në përgjithësi, rrit rrezikun e vdekjes së hershme me 50 për qind krahasuar me njerëzit që kanë lidhje të mira sociale.

“Kjo e bën vetminë po aq të keqe për shëndetin tuaj sa edhe obeziteti”, thekson RCGP.

Por ndërsa mund të shihet si një problem i pakapërcyeshëm, nuk duhet të jetë i tillë.

Ekspertët thonë se mënyra më e mirë për të filluar është të rindërtoni lidhjet në jetën tuaj të përditshme. Kjo mund të nënkuptojë diçka aq të thjeshtë sa të bëni një shëtitje në një park, në mënyrë që të filloni të shihni të njëjtat fytyra.

Psikologu Robin Hewings thotë se nuk është një kurë mrekullie, por këto gjëra të vogla mund të fillojnë me të vërtetë të bëjnë ndryshimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë