Trend

Shqiptarja që i qëndis lulet e thata me gjergjef

Gjergjefi është përdorur para shumë vitesh në Shqipëri dhe vazhdon të përdoret akoma për punime të ndryshme. Ajo që nuk kemi vënë re është punimi i luleve të thara në gjergjef, një biznes që për herë të parë në Shqipëri e solli Aurela Shytaj, një 26-vjeçare e cila ka studiuar për biologji dhe dashurinë për lulet dhe artin e ka që në fëmijërinë e saj ku në çdo rast mundohej të krijonte diçka që në thelb kishte lulet.

Aurela Shytaj

Dashuria për lulet është zhvilluar më tej në 2018 kur ajo ishte në Gjermani dhe në një dyqan bleu një kompozim normal lulesh dhe kur shkoi në shtëpi ajo e shndërroi kompozimin në një të ri, komplet ndryshe.

“Lulet ishin origjinale dhe u thanë por motra e ka akoma atë kompozim timin,” thotë Aurela. Ajo na tregon se ky ishte momenti i parë kur vendosi se donte të merrej me lulet dhe kompozimin e tyre.

Momenti i dytë ishte kur gjeti punët e një vajze angleze që bënte të njëjtën gjë që bën ajo sot. "Aty u frymëzova dhe vendosa të sjell për herë të parë në Shqipëri punimin e luleve të thata me gjergjef”, tha Aurela.

Për një kohë shumë të gjatë ajo studioj për çdo gjë që lidhej me këtë biznes dhe krijoi një profil të sajin pasi gjeti idetë që, siç Aurela i thotë Gazetës “Si”, “ishin aq shumë ide sa ishte shumë e vështirë të sistemohesha dhe të vendosja përfundimisht se cfarë do të përfshij. Pastaj sigurova bazën materiale dhe hapa dyqanin online.”

Bazën materiale Aurela thotë se është e vështirë ta gjesh në Shqipëri pasi lulet duhet të thahen me shumë kujdes dhe ajo e bën këtë duke përdorur njohuritë nga shkolla dhe trajnimet qe ka bërë me specialistë të huaj.

Ndërsa përsa i përket luleve që duhen të balsamosura, është një proces që nuk mund të bëhet thjeshtë pasi “kërkon shumë mjete dhe teknika të cilat duan kushtet e veta dhe nëse e realizon duhen aq teknika të specializuara sa nuk do kesh sigurinë në fund që do te rezistojë apo jo ajo lule.” thotë Aurela.

Prezantimi i parë i këtij lloj punimi me njerëzit ka qenë shumë i ngrohtë pasi përveç kureshtjes, “njerëzit e deshën këtë punim dhe e kërkuan që në fillime.”

Punimi i luleve të thara nuk ka një emër specifik pasi ndahen në punimin me gjergjef që mund të jenë emra, iniciale, një foto që e kthen në një skicë me lule, pastaj është dhe punimi me korniza, janë aksesorët që përfshijnë rrathët e flokëve, byzylykë me lule, fustane të qëndisur me lule të thata ku këto të fundit janë dhe një ndër punimet më të preferuar për klientët pasi vjen si një aksesor veror, për të bërë set fotografik apo për ta veshur në një rast të veçantë.

“Ndërsa punimi më i kërkuar është ai me gjergjef. Atë e duan dhe e kërkojnë pafund njerëzit.” tha Aurela.

Sa kohë duhet për të përfunduar një punim?

 “Çdo punim ka ngarkesën e vet për t'u realizuar,” thotë Aurela dhe vazhdon të shpjegojë se punimi me ngarkesën më minimale zgjat 1 orë nga nisja e skicimit deri në paketim, për shembull një inicial në diametër të vogël ndërsa një punim me ngarkesë normale kërkon 2-3 orë dhe një punim me ngarkesën më të madhe kërkon 5 orë.

Kjo ndodh më shumë dhe sepse çdo punim është unik në varësi të asaj që kërkon klienti dhe ajo kurrë nuk ka krijuar dy punime njësoj.

Ndërkohë çmimet janë të ndryshme në varësi të përmasave dhe punës. Gjergjefët janë me diametër që nisin nga 11 cm deri në 32 cm që është baza ku punohet. Në diametrin 32 cm Aurela punon emra dhe kushtojnë 3800 lek ndërkohë që gjergjefët e tjerë që janë më të vegjël nuk të lejojnë që të bësh emra dhe përdoren për inicialet dhe në varësi të buxhetit që ka klienti, bëhen dhe përmasat e punimeve.

“Punimet në kornizë kanë specifika të tjera dhe çmimi varet nga ngarkesa që kanë, puna, koha”, thotë Aurela.

Pra, çmimi më minimal fillon në 1500 lekë deri në 15000 lekë që janë gjergjefë që kanë diametër shumë të madh, 50 cm, 60 cm ku mund të bësh vetëm punë të mëdha.

Nuk janë çmime të larta kur mendon se lulet jetojnë shumë vite nëse nuk lagen, nuk qëndrojnë në lagështirë dhe nuk qëndrojnë gjatë në diell pasi mund të zbehet ngjyra, pra “janë ideale për të qëndruar në çdo lloj ambienti vetëm të ruhen nga këta faktorë.”

Ajo përdor të gjitha lulet e mundshme përveç lulediellin dhe tulipanin pasi janë shumë delikate dhe nuk jetojnë gjatë.

Aurela do të hapë dhe një workshop për të mësuar dhe vajza të tjera artin e bukur të punimit të luleve të thata me gjergjef dhe me sa duket, shumë shpejt ky punim do të jetë trend në vendin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë