Futboll

Të premten starton Superiorja, me Tirana-Kukësi

“Nxemjes” së stërgjatë të 10 ekipeve të Superiores për fillimin e garës duket se i ka ardhur fundi. Burime të Gazeta Si bëjnë me dije se kampionati elitar i futbollit në vend do të nisë këtë fundjavë, konkretisht të premten, me ndeshjen Tirana-Kukësi.

Presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, deklaroi pas mbledhjes së sotme me klubet se bojkoti vazhdon dhe se nesër mund të ketë një vendim, nëse nga qeveria do të ketë propozime konkrete për plotësimin e katër kërkesave. Sipas tij, gjithçka mbetet e hapur, por futbolli nuk mund të presë më gjatë, sepse po kalohet çdo limit. Edhe fjalia e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, se “kampionati do të nisë patjetër” në një farë mënyre nënkupton startin e garës.

Presidentët Halili dhe Gjici gjatë një ndeshjeje Tirana-Kukësi. Gazeta Si, 19 tetor 2020

Nga burimet e Gazeta Si mësohet se klubet janë lajmëruar të bëhen gati për startin e garës këtë fundjavë, edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar. Ndeshja hapëse e kampionatit do të jetë Tirana-Kukësi, e vetmja që do të zhvillohet të premten, për të vazhduar të shtunën me 4 ndeshjet e tjera të javës së parë të kampionatit.

Superiorja duhet të rikuperojë kohën e humbur dhe kalendari do të jetë mjaft i ngjeshur, ndërsa detajet për zgjidhjen e ngërçit të katër kërkesave të Ligës Profesioniste ndaj qeverisë do të mësohen pas takimit të nesërm në ministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë