Rend dhe Ligj

Të përjashtuarve nga vettingu u ndalohet avokatia

Pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve që largohen nga detyrat që mbajnë mbeten në sistemin e drejtësisë, megjithëse jo më me fuqi vendimmarrëse. Ata rikthehen duke ushtruar profesionin e avokatit.

Por, amendimet e ligjit për avokatinë në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar përjashtojnë për një afat kohor të caktuar ushtrimin e detyrës së avokatit për ata prokurorë e gjyqtarë të djegur nga procesi i vettingut.

Bëhet fjalë për një amendim të paraqitur nga kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla dhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

“Ligji që votuam për avokatinë dhe amendamenti i propozuar nga unë dhe Manja është hap i rëndësishëm drejt garantimit të moralit dhe pastërtisë së atyre që punojnë pranë drejtësisë. Amendamenti garanton që personat që kanë qenë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe largohen nga vettingu për një kohë të caktuar nuk mund të punojnë si avokatë”, deklaroi Balla.

Spartak Braho e votoi parimisht ligjin, por doli kundër amendimit të Ballës, duke e cilësuar atë si një lustracion të mirëfilltë. 

Megjithatë, mazhoranca thotë se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të patur një vlerësim më profesionist për këtë nen, nëse shkelen apo jo të drejtat e njeriut me këtë amendament.

Ndërkohë, sa i takon përplasjes për ligjin e statusit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, që kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash, Taulant Balla zbardhi një detaj nga bisedimet me opozitën për këtë çështje,

“Kemi pasur një komunikim me opozitës, PD dhe LSI. Na u tha se pa u anuluar ligji për teatrin nuk marrim pjesë. Nuk shoh një lidhje mes këtyre të dyjave”, deklaroi ai.

Një tjetër vendim i Kuvendit ishte edhe ai për zgjatjen e afatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ndër të vetmit komisione parlamentare ku bashkëpunimi mes shumicës dhe pakicës ka qenë në një nivel të kënaqshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë