Rend dhe Ligj

Të pathënat/ Orë pas ore, si u shpartalluan krimet e Rënda

Dita e pretencës ndaj Emiljano Shullazit hapi perden e problemeve në të cilat gjendet realisht organi i akuzës. Dy prokurorët që kishin përfaqësuar akuzën e shtetit në gjykatë e lanë karrigen bosh. Elisabeta Ymeraj me urdhër të Arta Markut u caktua shefe e Prokurorisë së Tiranës. Kolegu i saj, Eneid Nakuçi kërkoi në fund të muajit gusht leje gjashtëmujore për shkaqe shëndetësore sipas tij.

Siç mund të parashikohej dosja ngeli jetime e për këtë Donika Prela autorizoi një prokuror tjetër, Besim Hajdarmatajn për të përfaqësuar akuzën. Edhe ai kërkoi kohë për t’u njohur me aktet.

Një ditë përpara se përplasjet të dilnin në sipërfaqe thuhet se Donika Prela i njoftoi të gjithë vartësit e saj për një mbledhje me synim shortimin. Por, për shkak se një pjesë e tyre ishin të angazhuar, e të tjerë kishin telefonin fikur, takimi dështoi. Të nesërmen, datë 18 shtator, prokurorët janë rinjoftuar. Në orën nëntë të gjitha proceset që ishin të kalendar u anuluan. Përveç prokurorëve, Prela i ka kërkuar sekretares së saj të mbajë shënim dhe procesverbal çfare do të thuhej.

Siç thonë të pranishmit, Prela ka pohuar mes të tjerave se ajo e dinte që prokurorët kanë të drejtë, por edhe asaj i kërkohej llogari për plotësimin e dosjes me prokurorë. Më tej ka vazhduar duke shpjeguar se për çështjen në fjalë prokurorit të autorizuar prej saj do t’i shtoheshin edhe ajo vetë, së bashku me zëvendësshefin Gentian Osmani. Më tej eprorja ju ka thënë 17 prokurorëve se shorti do të hidhej edhe për një të katërt.

Njëri nga prokurorët Olsian Çela, duke i përmendur bazën ligjore dhe duke i thënë se diskutimi nuk duhet të marrë trajta personale ka kujtuar se në fakt çështja nuk është pa prokurorë. Për këtë ka shtuar emrat e kolegëve, që sipas tij, në dijeninë e tij ende nuk kishte vendimarrje që ata të kishin hequr dorë. Por, Donika Prela e ka ndërprerë me urdhërin që “shorti do bëhet, do të bëhet” e më tej ka urdhëruar prokurorin që të përfshihet në shortim. Por, siç thonë pjesëmarësit në një zë kanë qenë edhe prokurorët e tjerë, sipas të cilëve rregullat për shortin nuk përfshijnë shpalljen e pretencës, përderisa asnjëri prej tyre nuk kishte kryer veprime hetimore.

Më e ashpër ka qenë Sonila Muhametaj, që ka deklaruar se prokurorët nuk mund të jenë thjesht lexues të hetimeve të të tjerëve. “Tritoli që është nisur për diku tjetër nuk ka përse të vijë në shtëpinë time”, mësohet të jetë shprehur e shqetësuar prokurorja.

Edhe prokurorët e tjerë, Përparim Kulluri, Eugen Beci, Edvin Kondili kanë kërkuar referencën ligjore, pa marrë përgjigje përveçse urdhërit të Prelës që sekretarja të vazhdonte të shkruante. I fundit ka folur prokurori i autorizuar prej Prelës për Shullazin. Besim Hajdarmataj ka kërkuar shpjegime se përse po ndodhte kjo situatë dhe se përse po hidhej shorti, kur ai nuk kishte kërkuar ndihmës për pretencën dhe as nuk e kishte kundërshtuar autorizimin.

Pyetjes se përse duhen katër prokurorë i janë bashkuar edhe prokurorët e tjerë, ndërsa Hajdarmataj e ka akuzuar shefen “se po bsnte mbledhje si në kooperativë”. Njëri pas tjetrit prokurorët janë larguar duke e lënë Donika Prelën me të besuarit e saj, Anton Martinin e Gentian Osmanin, si edhe me prokurorë të thjeshtë si Manjola Kajanën e Doloresa Musabelliun. Kjo e fundit është çuar në këmbë pasi kolegët e saj ishin larguar në zyrat e tyre dhe duke ju dhënë atyre të drejtë ka shtuar se shorti nuk ka kuptim dhe se edhe ajo po largohej.

Datë 19 shtator

Pas kësaj ngjarjeje, ka ndërhyrë Arta Marku që urdhëroi procedimin disiplinor dhe transferimin e tre prokurorëve në rrethe. Kjo masë nuk u prit aspak mirë prej të ndëshkuarve që ju kundërpërgjigjën me një deklaratë ku akuzonin atë dhe shefen e Krimeve të Rënda, Donika Prela se po shkelnin ligjet e reformës në drejtësi, Kushtetutën dhe pavarësinë e prokurorit. Njëra nga prokuroret, Sonila Muhametaj në orët e pasdites ka tentuar një takim me Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, por Arta Marku e ka refuzuar.

Për të mësuar arsyet se përse ishte transferuar, kur ligji nuk e lejon, Muhametaj ka takuar Donika Prelën e cila i ka mbyllur derën e zyrës. Në këto kushte prokuroret janë konfliktuar verbalisht.

Skandali se si po menaxhohet prokuroria dhe se si prokurorët po kthehen në sistemin e vjetër të një prokurorie të centralizuar, pritet të mbajë të elektrizuar prokurorët edhe gjatë javës që vjen, megjithëse Arta Marku në letrën publike duke kujtuar se krimi punon pa pushim, shprehu këmbënguljen se nuk do të dorëzohej ndaj kujtdo prokurori që refuzonte t’i bindej.

Shortim apo autorizim?

Megjithë notat e larta të konfliktit, Prokuroria e Përgjithshme mendon se e ka zgjidhur gjetjen e prokurorëve. Duke hequr Besim Hajdarmatajn jozyrtarisht thuhet se Marku ka komanduar dy eprorë të Krimeve për të shpallur pretencën. Për paradoks ata janë vendosur pa short dhe ashtu siç kërkuan prokurorët rebelë; dy prokurorë dhe jo katër.

Data 25 shtator

Të martën , në orën 9.00 prokuroria pritet të shpallë pretencën ndaj Emiljano Shullazit dhe bandës së tij. Ndonëse nuk janë bërë të ditur zyrtarisht emrat, pritet që ata të jenë Prela dhe Osmani. E gjitha kjo do të kalojë në favor të Shullazit, i cili pritet të kryejë lëvizjen e radhës. Ose ai dhe katër të tjerët do ta bojkotojnë procesin, ose do të kundërshtojnë dy eproret e krimeve të lexojnë pretencën. Karta tjetër e të pandehurve, nëse do jenë këta dy prokurorë është të vendosin në pikëpyetje mënyrën si i zgjodhi Arta Marku dy njerëzit që do të lexojnë pretencën, të cilët nuk është çudi që gjithashtu të kërkojnë kohë të njihen me fashikujt.

"Bomba" Shullazi

Dosja “Shullazi” nxori në dritë problemin e përshtatjes së eprorëve me vartësit, mënyrës se si caktohen ata në prag pretence dhe si duhet të ndërhyjë Prokurori i Përgjithshëm kur prokurorët sipas reformës në drejtësi, tentojnë të jenë të pavarur, një garanci që ua dha paketa ligjore.

Shmangia e të gjithëve për të lexuar konkluzionin se çfarë dënimesh do të kërkojë prokuroria shqiptare për Shullazin shfaqi frikën e tyre kundër njërit prej njerëzve më të lakuar edhe nga Donald Lu. Nuk dihet nëse gjatë kësaj kohe, kur mbahej në paraburgimin 313 kë ka kërcënuar ai, por ajo që dihet është se problemet shpërthyen tre muaj pasi prokuroria nisi të bëhet gati për pretencën, e cila është qëndrimi përfundimtar i akuzës mbi veprat, por edhe dënimet që sugjeron.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë