Jete & Stil

Të ndërtosh një jetë mes luleve

Vitet e fundit dyqanet e luleve janë shtuar teksa shqiptarët po kultivojnë traditën e dhurimit të luleve natyrale në raste gëzimesh e hidhërimesh. Dasmat e kanë pjesë shumë të rëndësishme dekorimin e ambientit dhe së fundmi praktikisht po shikojmë lule në çdo ambient ku ulemi për të pirë kafe, në çdo shtëpi që vizitojmë dhe është e pamundur të ecësh nëpër rrugë e mos të shohësh dikë me lule në dorë.

 Gazeta “Si” u takua me Verën në dyqanin e saj ndoshta jo më të madhin, por të mbushur me lule, shumë punë dhe akoma më shumë pasion. Habitesh kur shikon sa dashuri kanë njerëzit për lulet e në këtë rast Vera. Ajo na tregoi se kishte pafund lule dhe në shtëpi që kujdesej aq me pasion sa në dyqanin e saj.

"Kam një jetë qe ia kushtoj gjithë kësaj që shikon këtu. E kam nisur e vetme dhe pa mbështetjen e askujt. Lulet i merrja në një serë që kishte kushëriri i burrit tim. Në fillim shisja vetëm në vazo dhe shumë pak. Me kalimin e kohës fillova të bëj buqeta të vogla më shumë për fëmijët që jua dhuronin prindërve apo mësueseve. Avash-avash arrita këtu ku jam sot. E di, është e njëjta ndërtesë që kam filluar me shumë pak lule por tani siç e shikon është plot e kjo më bën të lumtur dhe them që ia kam arritur asaj që kam kërkuar që në fillim." shprehet deri diku me nostalgji Vera.

Pandemisë dhe efektit negativ të saj nuk i ka shpëtuar as ky biznes. Kanë qenë 2 muaj të mbyllur dhe me shitjet online kanë arritur të shesin aq sa për të thënë siç dhe Vera shton.

Ajo tregon se ka qenë periudha më e vështirë që ka kaluar në gjithë këto vite punë. Aty u njoh dhe me anët negative të shitjeve online. Njerëzit kërkonin buqetë që kishin parë në internet dhe nuk e kuptonin se në gjendjen që ishim nuk mund ti kishim të gjitha materialet për ta realizuar. Kishte klientë që na e linin ne në dorë pasi nuk i njihnin të gjitha lulet dhe nuk i shihnin dot të gjitha siç ndodh në dyqan.  Pastaj ndodhte që nuk dilnin të kënaqur pasi në fund të fundit një buqetë është aq personale sa çdokush e shikon në mënyrën e vet.

 Por çfarë ka ndodhur me dyqanet e luleve që nuk bëjnë shitje online?

"Kemi humbur miliona. Çdo lule që ka qenë në dyqan është hedhur në plehra pasi nuk bëjmë shitje online. Por falë zotit ndodhi që kur u hap çdo gjë, kishte shumë kërkesa. Dyqani ishte çdo ditë plot me njerëz që në fakt kërkonin lule në vazo. Kurrë nuk kemi pasur aq shumë kërkesa për to pasi buqetat janë ato që shiten më shumë por çuditërisht kemi bërë 2 herë furnizim me lulet në vazo nga gjithë kërkesat që kishim. Me sa duket gjatë karantinës i kanë kushtuar rëndësi lules dhe kujdesit ndaj tyre.

E morëm pak a shumë veten deri kur filluan të shtohen rastet. Vijnë më pak njerëz, aq pak sa pronarët e mi janë në mëdyshje a duhet të bëjnë furnizime apo jo" thotë vajza që punonte tek ''Beauty flower''.

 U larguam nga aty me shijen e keqe që na la fjalia e fundit e vajzës "vetëm shpirti i tyre e di kur kanë hedhur çdo gjë e tremben edhe në qoftë se vetëm jua përmend se mund të bëjnë të njëjtën gjë prapë”.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë